GJYSMËFINALJA: GJERMANIA - SPANJA

Rikthehet Spanja! Arrin finalen e katërt në gjashtë Eurobasketet e fundit
16 September, 2022 @22:09
Spanja ka bërë rikthim të madh në çerekun e fundit të ndeshjes ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale të Eurobasketit, për të siguruar finalen e katërt në gjashtë evropianet e fundit.
Ekipi i drejtuar nga Sergio Scariolo ka arritur të rikthehet fuqishëm në 10-minutëshin e fundit të lojës për të fituar duelin dhe për të arritur në finale të garës, ku i pret Franca. Gjermania 91-96 Spanja [24-27, 27-19, 20-19, 20-31].
Hera e fundit kur Gjermania kishte arritur finalen ka qenë Eurobasket 2005, të cilën e kishte humbur nga Greqia. Ndërsa e ka fituar njëherë, në 1993, kur kishte mposhtur Rusinë 71-70. Por, sonte ranë në 5-minutëshin e fundit të ndeshjes nga loja. Të dielën luftojnë ndaj Polonisë për pozitë të tretë, medaljen e bronztë.
Spanja në Eurobasketin e kaluar, 2017, kishte përfunduar e treta, ndërsa në 5 Eurobasketet e fundit, u bë tri herë kampione e Evropës. Ndaj Francës do të kërkojë të vazhdojë dominimin, pasi që prej vitit 1999 Spanja është non-stop në TOP 4-she të Eurobasketit, duke siguruar secilën herë minimalisht gjysmëfinalen.
E sonte, kampionët aktual botëror kanë treguar fuqinë për të siguruar finalen dhe synimin e madh të tyre.
Lorenzo Brown me 29 pikë e 6 asistime ka qenë më efikasi te Spanja, ndërsa 16 pikë ka shënuar Willy Hernangomez e 13 tjera ka shënuar Juancho Hernangomez.
Tridhjetë pikët e Dennis Schroderit nuk mjaftuan te Gjermania, derisa ai i bëri edhe 8 asistime tjera. Nga 15 shënuan Franz Wagner e Andreas Obst, që nuk mjaftuan për ekipin e Gordie Herbert.