Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TRAJNERËT E SUPERLIGËS

Sa trajnerë u ndërruan gjatë këtij stinori në Superligë dhe çfarë rezultate arritën?

Sa trajnerë u ndërruan gjatë këtij stinori në Superligë dhe çfarë rezultate arritën?


15 April, 2021 @17:47

Stinori 2020/21 nuk ka qenë aq i përshtatshëm për kryetrajnerët e Superligës.

Tetë skuadrat e Superligës së Kosovës kanë ndërruar 19 emra të kryetrajnerëve gjatë këtij stinori, duke bërë që ky stinor të cilësohet si një arenë shkarkimesh e dorëheqjesh për kryetrajnerët.

Skuadra më e parehatshme me trajner është bërë Peja, e cila gjatë këtij edicioni ka ndërruar 4 kryetrajnerë, ndërsa trajneri më i parehatshëm është bërë malaziasi Dragan Radovic i cili gjatë këtij stinori ka udhëhequr 3 skuadra të ndryshme, Yllin, Prishtinën dhe së fundi Pejën.


PONTE PRIZRENI

1. Arbnor Rifati, 20-8

I vetmi i mbijetuari për 28 xhirot e Superligës është kryetrajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati, i cili nuk ia ka dorëzuar askujt postin e tij. Rifati është treguar trajneri më i suksesshëm i këtij stinori duke përfunduar në vendin e parë dhe duke regjistruar 20 fitore e vetëm 8 humbje në Superligë, ndërsa përveç kësaj ka pasur edhe 1 fitore e 1 humbje në Kupë, si dhe 1 fitore e 1 humbje në Superkupë.


RAHOVECI

1. Bujar Loci, 12-7
2. Fotis Takianos, 6-3

Rahoveci gjatë këtij stinori kanë ndërruar dy trajnerë. Stinori nisi me Bujar Locin i cili këtë stinor i drejtori vreshtarët në 19 ndeshje në Superligë dhe 2 në Superkupë. Loci gjatë pjesës së rregullt të kampionatit ka regjistruar 12 fitore dhe 7 humbje, ndërsa pas ndeshjeve të Kupës së Kosovës ku arriti deri në gjysmëfinale, vendin e tij ia la trajnerit grek, Fotis Takianos.

Me trajnerin Takianos, Rahoveci pati bilanc të mirë në Superligë me 6 fitore dhe 3 humbje, që mjaftoi për kualifikim direkt në gjysmëfinale të Play Off-it, ndërsa në Ligën Unike u mposht qysh në ndeshjen e parë të zhvilluar në gjysmëfinale përballë Pejës.


GOLDEN EAGLE YLLI

1. Dragan Radovic, 4-3
2. Fatih Emre Gezer, 12-4
3. Adis Beciragic, 1-2

Golden Eagle Ylli e filloi stinorin me trajnerin Dragan Radovic, i cili edhe në stinorin e kaluar ka qenë në krye të ‘xhebrailave’, pasi kishte arritur sukses duke e çuar ekipin për herë të parë në finale të Kupës. Me Radovicin në krye, Ylli zhvilloi 7 ndeshjet e para në Superligë duke regjistruar bilanc prej 4 fitoreve dhe 3 humbjeve, ndërsa në Superkupë u mposht që në ndeshjen e parë nga Ponte Prizreni.

Pas largimit të tij, Ylli zhvilloi dy ndeshje pa kryetrajner, ndërsa më pas u emërua turku Fatih Emre Gezer. Me trajnerin Gezer, Ylli arriti finalen e dytë rresht në Kupën e Kosovës, ku u mposht nga ish trajneri i skuadrës, Radovic, i cili drejtoi Sigal Prishtinën në atë ndeshje. Gezer është trajneri me kohëzgjatjen më të madhe te Ylli në këtë stinor, me 16 ndeshje të drejtuara në Superligë, prej të cilave 12 u regjistruan si fitore.

Megjithatë, ky bilanc nuk i kënaqi aq sa duhet drejtuesit e klubit, të cilët e larguan trajnerin Gezer për ta emëruar në krye të skuadrës ish kampionin e Kupës së Kosovës me Pejën vitin e kaluar, Adis Beciragic. Ylli me trajnerin Beciragic pasi zhvilloi 3 ndeshje në Superligë arriti suksesin më të madh në histori të klubit, duke e fituar titullin e Ligës Unike.


PEJA

1.Edi Dzelalija, 7-3
2.Semsettin Bas, 1-1
3.Jordanco Davitkov, 3-4
4.Dragan Radovic, 2-2

Gjatë pjesës së rregullt të kampionatit Peja i ndërroi 4 kryetrajnerë.

Verdhezinjtë së pari me kryetrajnerin Edi Dzelalija u mposhtën në çerekfinale të Superkupës nga Bashkimi, e më pas patën bilanc prej 7 fitoreve dhe 3 humbjeve në Superligë deri në momentin e largimit të tij. Pas trajnerin Dzelalija Peja u drejtua për dy ndeshje nga ndihmëstrajneri Petrit Zeqiri, për të emëruar më pas trajnerin turk Semsettin Bas.

Ky i fundit qëndroi në krye të pejanëve për vetëm dy ndeshje dhe dha dorëheqje më pas. Peja pas tij e emëroi trajnerin Jordanco Davitkov, i cili dështoi që në ndeshjen e parë të Kupës së Kosovës, ndërsa në kampionat regjistroi 3 fitore e 4 humbje.

Si rrjedhojë, as aventura e Davitkov nuk zgjati shumë te pejanët dhe pas tij në Karagaç erdhi trajneri Dragan Radovic.

Radovic në ndeshjet e para fillimisht mungoi për shkak të infektimit me COVID, ndërsa më pas tregoi sukses duke arritur deri në finale të Ligës Unike.


BASHKIMI

1. Illmen Bajra, 10-11
2. Franko Sterle, 1-6

Bashkimi në fillim në krye të skuadrës e kishte trajnerin me perspektivë, Illmen Bajra, i cili i kualifikoi ‘arpagjikt’ në finale të Superkupës së Kosovës, pati 21 ndeshje në Superligë, ndërsa në Kupë u mposht qysh në ndeshjen e parë.

Drejtuesit e klubit i ndanë rrugët me të në muajin mars, për ta emëruar më pas kroatin Franko Sterle.

Me trajnerin Sterle Bashkimi regjistroi 1 fitore e 6 humbje në Superligë, ndërsa Play Off-in e siguroi vetëm pas ndeshjeve të xhiros së fundit.


SIGAL PRISHTINA

1. Andin Rashica, 5-9
2. Dragan Radovic, 2-5
3. Ljupcho Malinkov, 4-3

Skuadra më e trofeshme në Kosovë që e kaloi stinorin më të vështirë në historinë e saj, ka ndërruar 3 trajnerë deri më tani.

Prishtina e nisi me trajnerin vendor Andin Rashica, me të cilin e fitoi Superkupën e Kosovës në fillim të këtij stinori me përbërje komplete të lojtarëve vendorë. Rashica qëndroi në krye për 13 ndeshje të Superligës, ndërsa më pas vendin e tij ia la trajnerit Dragan Radovic.

As ky nuk mbeti pa u stolisur me trofe, pasi që e fitoi Kupën e Kosovës, ndërsa pas 7 xhirove në Superligë u largua për ta marr drejtimin e Pejës.

Në vend të Radovicit Sigal Prishtina e emëroi ish trajnerin e Vëllaznimit, Ljupcho Malinkov, me të cilin siguroi mbijetesën dhe kualifikimin në Play Off.


TREPÇA

1. Neven Plantak, 2-8
2. Serhat Sehit, 9-9

Trepça e filloi stinorin jo mirë me trajnerin shumëvjeçar të saj, Neven Plantak.

Plantak u largua nga skuadra pas xhiros së dhjetë me vetëm 2 fitore të regjistruara dhe humbjes që në ndeshjen e parë në Superkupë, ndërsa në vend të tij erdhi trajneri turk Serhat Sehit.

Sehit bëri ç‘mos për ta nxjerrë Trepçën nga pozita e fundit kur e kishte marrë drejtimin, dhe këtë e arriti duke shënuar 9 fitore në 18 ndeshje, por që në fund mbeti pa Play Off për shkak të bilancit më të dobët në ndeshjet e ndërmjetme me dy skuadrat e tjera që kishte pikë të barabarta në fund, Prishtina dhe Bashkimi.

Sehit u tregua i pasuksesshëm në Kupë, pasi u mposht që në ndeshjen e parë nga Rahoveci në çerekfinale.


VËLLAZNIMI

1. Ljupcho Malinkov, 4-15
2. Branimir Pavic, 5-4

Gjakovarët patën një stinor shumë të mundimshëm, pasi që përfunduan të fundit, edhe pse patën 9 fitore gjatë stinorit dhe përveç liderit arritën ta mposhtin secilën skuadër tjetër.

Këtë rrugëtim Vëllaznimi e nisi me trajnerin aktual të Prishtinës, Ljupcho Malinkov, i cili drejtoi skuadrën për 19 xhiro në Superligë dhe regjistroi 4 fitore e 15 humbje.

Pas tij drejtimin e skuadrës e mori Branimi Pavic, që dikur ishte në krye të Pejës. Me kroatin Pavic Vëllaznimi pati bilanc pozitiv prej 5 fitoreve dhe 4 humbjeve, por ky bilanc i mirë nuk i mjaftoi për t’iu shmangur rënies nga Superliga.


*SQARIM:
- Numrat pas emrit të trajnerit tregojnë numrin e fitoreve dhe të humbjeve të regjistruara në pjesën e rregullt të kampionatit në Superligë gjatë kohës sa kanë drejtuar skuadrat përkatëse, pa përfshirë ndeshjet në garat e tjera!

- Trajnerët e renditur të fundit pas emrit të skuadrave, vazhdojnë të jenë akoma në krye të skuadrave të tyre!


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga