MEDIA
Samiri, rikthehet te Bashkimi!
10 August, 2015 @8:18
Pas Gerti Shimës, Samir Shaptahovic, pritet që të nënshkruajë marrëveshje me Bashkimin e Prizrenit, para stinorit të ri dhe edicionit të ri të garave në Superligë dhe debutimit të ekipit prizrenas në Balkan League.
Njoftimin e ka dhënë menaxheri i ekipit Arlind Kaçaniku, që ka bërë të ditur se me Samirin Bashkimi ka arritur marrëveshje gojore, ndërsa pritet që të zyrtarizohet gjithçka gjatë ditëve në vijim, ka shkruar Koha Ditore sot.
Samir Shaptahovic ka qenë pjesë e Bashkimit edhe katër stinorë më parë, derisa ekipi kishte arritur finalen e Kupës së Kosovës nën dirigjimin e tij.
Së fundi, Shaptahovic ishte larguar nga basketbolli kosovar, përkatësisht ekipi i tij, Peja, për shkak të arsyeve familjare - për të ikur drejt SHBA-ve.
Samiri 34 vjeç së fundi ka pasur mesatare prej 17.9 pikëve, e 5.6 asistimeve për ndeshje me ekipin e Pejës.