KUPA E KOSOVËS
Sigal Prishtina mbron trofeun
4 March, 2018 @21:05
Sigal Prishtina e mposhti Bashkimin në finale të Kupës së Kosovës me rezultat 77-74 dhe e mbrojti trofeun.
Pa asnjë lojtarë të huaj në ekip, me trajner vendor, bardhekaltërit triumfuan ndaj Bashkimit për të vazhduar dominimin në basketbollin kosovar.
Me mbrojtje të fortë në minutën e fundit të ndeshjes, duke detyruar Aaron Mossin që të shkaktojë gabime në sulm, Sigal Prishtina ka shënuar pikë të lehta në anën tjetër për të mbrojtur trofeun e Kupës së Kosovës në basketboll.
Përvoja e Granit Rugovës në fund dhe mbrojtja e fortë ekipore ia sollën Sigal Prishtinës trofeun e 14-të të Kupës së Kosovës, pasi që sonte në 13 qershori të Suharekës triumfuan 77-74 ndaj Bashkimit.
Shuti i fundit i ndeshjes, nga Mikaile Tmusic, nuk gjeti koshin dhe Kupa mbeti në kryeqytet, derisa Bashkimi mallin 16 vjeçar për një trofe, duhet ta kërkojë në rastin tjetër.
SIPAS ÇEREKËVE
Sa i përket ndeshjes, Prishtina luajti më mirë në çerekun e parë dhe të fundit, derisa Bashkimi në të dytin dhe tretin - derisa në përgjithësi, ndeshja shkonte me ndërrime epërsie kah fundi dhe jo diferencë të madhe mes ekipeve.
PERFORMANCAT INDIVIDUALE
Alban Veseli me 24 pikë, 10 kërcime dhe pa asnjë sekondë pushim gjatë ndeshjes ka qenë më efikasi te Prishtina. Njejtë pa pushim luajti edhe Fisnik Rugova. Ai shënoi 21 pikë, regjistroi 12 kërcime dhe bëri 4 asistime në rrugë për trofeun e radhës për ekipin e tij.
Granit Rugova përfundoi ndeshjen me 15 pikë e 8 kërcime.
Te Bashkimi në anën tjetër, njeriu që ishte gati të bëhej hero, u bë zero. Aaron Moss me 20 pikë, 6 asistime dhe 8 kërcime shkëlqeu gjatë gjithë ndeshjes, derisa në fund pati tre topa vendimtar të humbura, e në total, 9!
17 pikët e Vinny Zollos dhe 8 kërcimet e tij nuk mjaftuan, njejtë sikurse edhe 12 pikët e Altin Morinës, që ka qenë i vetmi nga lojtarët lokal të ekipit prizrenas që ka shënuar pikë dyshifrore.