Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

DUELI MË DRAMATIK I STINORIT!

Dramë në Klinë! Dukagjini mposht ‘74-shin me dy lojtarë më pak!

Fotot: KFDukagjini/ fb

Dramë në Klinë! Dukagjini mposht ‘74-shin me dy lojtarë më pak!


9 November, 2024 @19:27

Lirisht mund të thuhet që ka qenë ndeshja më dramatike deri sot e këtij stinori në Superligë. Në një përballje të luftuar deri në sekondat e fundit të saj, që shkoi deri në 110 minuta me shtesa, Dukagjini ka arritur të shënojë fitore ndaj Feronikelit’74 edhe pse mbeti me dy lojtarë më pak në fushë.

Pos penalltisë së nxjerrë të Feronikelit’74 që u duk e lehtë dhe u dha përmes VAR-it, edhe gjyqtari kryesor i ndeshjes Valon Bajgora ka qenë i mirë në detyrën e tij. Ai ka shikuar dy herë VAR-in për kartonat e kuq të vendasve, që i vërtetoi dhe i dha, ndërsa në fund të ndeshjes dëshira e madhe e Dukagjinit për fitore doli në pah dhe u festua me të madhe!

Sa i përket ndeshjes, në pjesën e parë por edhe në të dytën derisa forcat në terren ishin të baraspeshuara, rastet ishin me vendasit. Së pari ka qenë ukrainasi Khomutov (25’) që rrezikoi, e pastaj Hekuran Berisha (29’) për Dukagjinin, ndërsa Davide Borsellini shpëtonte “niklin”.

Me të nisur pjesa e dytë nga një depërtim pasi që pranoi topin jashtë zonës, sulmuesi i ri në formë i Dukagjinit dhe që sot mori ftesën edhe nga Afrim Tovërlani për Kosovën U-21, Hekuran Berisha arriti që të tejkalojë përfundimisht pengesën Borsellini për avantazh të vendasve (49’).

Momenti i rikthimit ishte afër për Feronikelin’74. Por Suad Sahiti pa penalltinë e fituar përmes VAR, të nxjerrë nga Alban Shillova, të mbrohet nga Altik Muhaxhiri, i cili edhe topin e dëbuar e mbrojti! Kjo i dha zemër Dukagjinit, por një gjest i pahijshëm i Berishës bëri që ai të merr karton të kuq në një duel, pasi që referi e shikoi VAR-in (74’). Nuk vonoi shumë, edhe Faton Neziri u ndëshkua me karton të kuq, pasi që në luftim për top, shkoi keq në këmbën e Armend Halilit, mbrojtësit të Feronikelit’74! (79’).

Mysafirët, panë mundësinë dhe u sulën krejtësisht në ofanzivë. E pas një tollovie në zonë greku Nikolaos Ioannidis barazoi shifrat (88’) 1-1! Që në sulmin tjetër, super mundësi për ekipin nga Drenasi të arrijë fitoren, por Arlind Maloku qëlloi shtyllën e Muhaxhirit!

TABELA AKTUALE E SUPERLIGËS

Minutat ecnin, ndërsa në rast jo fort premtues, ku vendasit më shumë u koncetruan të nxjerrin faul te një rast, ndërsa referi dha përparësi, kanë qenë të huajt e Dukagjinit që vrapuan për të kryer punë. Një dalje e Vladyslav Khomutovit dhe pasim i saktë i tij, gjeti Vitor Hugon që vrapoi fuqishëm në zonë, e para portierit dha gol qetësisht nga afërsia për fitore dhe ekstazë në “18 qershori”. Dukagjini - Feronikeli’74 2-1 [Hekuran Berisha 49’, Vitor Hugo 90’+4 - Nikolaos Ioannidis 88’].

Dukagjini

Fitorja e dytë me radhë për Dukagjinin që është pa humbje në 5 ndeshjet e fundit të Superligës bën që ekipi i drejtuar nga Ismet Munishi të arrijë në pozitën e gjashtë të tabelës me 17 pikë sot, pas 13 ndeshjeve të luajtura. Feronikeli’74 i drejtuar nga Giovanni Colella në anën tjetër, mundësinë më të mirë për fitore nuk e arriti edhe sot dhe kështu vazhdon të mbetet pa fitore këtë stinor në Superligë, duke qenë i fundit në tabelë me 3 pikë nga 13 ndeshje të luajtura!


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga