BARAZIM NË DERBI!
Kryeziu përsëri në skenë, Prishtina barazon në fund ndaj Dritës
6 November, 2024 @21:59
Drita është ndalur në momentet e fundit të ndeshjes nga fitorja e tretë me radhë në Superligë. Ka qenë sulmuesi qendror i Prishtinës, Leotrim Kryeziu që ka qëlluar në skaj të portës së Faton Malokut për të barazuar rezultatin dhe për t’i dhënë epilog takimit të luajtur në “Fadil Vokrri” si rrallë herë nën dritë të reflektorëve.
Kryeziu shënoi golin e dytë në dy ndeshjet e fundit për Prishtinën, ndërsa u asistua nga Sinan Kadiri që krosoi në mes të zonës. Leo, ish-lojtar i dikurshëm i Dritës ndëshkoi ish-ekipin e tij, për përfundimtaren Prishtina - Drita 1-1 [Leotrim Kryeziu 88’ - Arb Manaj 39’].
Në minutat e mbetura Drita kishte dy raste të mira për të rikthyer epërsinë dhe ndoshta për të arritur fitoren, por bashkëpunimi jo i mirë mes lojtarëve në zonë, bëri që të mos konkretizohen ato. Në anën tjetër te Prishtina Albin Krasniqi kah fundi i ndeshjes (90’+3) nuk shutoi si duhet për të shënuar!
Loja në përgjithësi edhe pse dukej e fortë në mes, nuk prodhoi shumë raste, derisa goli i Dritës erdhi pas një gabimi të mbrojtjes së Prishtinës ku përvoja e Besnik Krasiqit siguroi topin në dyluftim për të shënuar Arb Manaj nga afërsia për epërsi (39’).
Pjesa e dytë e ndeshjes sa i përket posedimit anoi kah Prishtina. Por, rastet ishin të pakta dhe jo fort të rrezikshme për Malokun në portë të gjilanasve. Gjithesesi, skuadrat që u takuan para një jave në kuadër të xhiros së dhjetë ku Drita mposhti Prishtinën 3-0, sot përfunduan edhe ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë me 1-1.
Prishtina me këtë barazim pas 12 ndeshjeve në Superligë është e katërta me 20 pikë. Drita me 22 pikë dhe 11 ndeshje të luajtura është e dyta, me pikë të njëjta si Ballkani lider dhe Malisheva pas saj!