MUNGESË DISA MUJORE!
Met Millaku operohet me sukses, mungon disa muaj
7 November, 2024 @14:10
Mefsushori defanziv i Dukagjinit të Klinës, Met Millaku, ka kaluar me sukses operimin e tij, pas lëndimit që e pësoi. KF Dukagjini ka bërë të ditur sot se Millaku, pas lëndimit të rëndë të pësuar në klavikulë është operuar suksesshëm dhe gjithçka ka kaluar mirë nën punën e mjekëve Dr. Lavdim Berisha dhe Dr. Qerim Kida.
Millaku, që më 15 nëntor feston ditëlindjen e 27-të të tij është ndër lojtarët standard të ekipit nga Klina që këtë stinor drejtohet nga Ismet Munishi, ndërsa klubi i ka uruar rikthim të shpejtë, edhe pse mungesa e tij do të jetë disa mujore.
“Gjatë një seance stërvitore, Met Millaku ka pësuar një lëndim të rëndë në klavikulë. Për shkak të natyrës së lëndimit, mjekët Dr. Lavdim Berisha dhe Dr.Qerim Kida, vendosën që ishte e nevojshme që lojtari ynë t’i nënshtrohet operimit. Millaku e ka kaluar me sukses operacionin dhe pas disa muajsh presim që të rikthehet për të na ndihmuar në arritjen e objektivave.” — ka shkruar njoftimi i KF Dukagjinit sot.
Këtë stinor te Dukagjini Millaku ka pasur gjashtë paraqitje ndërsa ka shënuar një gol për ekipin, duke qenë në 50% të këtyre ndeshjeve startues. Dukagjini përndryshe pas 12 xhirosh është i shtati në renditjen tabelare të Superligës me 14 pikë, një më pak sesa Llapi në pozitë të gjashtë dhe njëjtë sikurse Ferizaji që është një pozitë poshtë tyre.