TRAJNERI I BASHKIMI, FRANKO STERLE

Franko Sterle, trajner i Bashkimit/ Foto: TV screenshot
Sterle: S’kam zhvilluar asnjë stërvitje me ekipin. Kemi shumë punë
7 March, 2021 @22:05
Trajneri i ri kroat i Bashkimit, Franko Sterle, ka arritur mbrëmë në Prizren dhe që sot debutoi në përballje derbi ndaj Trepçës, ku ekipi i tij u mposht.
Trepça nuk lëshoi mundësinë për të mposhtur Bashkimin e humbur në parket sonte, duke e fituar duelin me rezultat 88-72.
“Në fakt arrita mbrëmë në Prizren. Ende nuk kam zhvilluar asnjë stërvitje me ekipin, derisa sot i pashë lojtarët në lojë,” ka thënë Franko Sterle, që filloi aventurën e tij basketbollistike në Kosovë me humbje.
Ai u pyet nga gazetari i televizionit transmetues se pse nuk u përdor shumë Musab Mala dhe pse nuk startoi me te.
“Thjesht, nuk u respektua marrëveshja që e patëm para ndeshjes. Ajo ishte për çështje taktike të lojës,” ka thënë Sterle.
E pas humbjes, trajneri i Bashkimit u pyet edhe për të ardhmen këtu e ndeshjet e mbetura në kampionat.
“S’ka çka të thuhet shumë pas kësaj loje. Duhet të mbyllemi në palestër, të punojmë, të stërvitemi dhe të përmirësojmë krejt atë që mundemi për kohën që e kemi para nesh,” ka thënë ai.
Ndërsa në atë se çka nuk i pëlqeu në lojë te ekipi i tij shtoi.
“Përgjegjësia në sulme nuk ishte e mjaftueshme. Topi s’qarkullonte. Mbrojtja pick-and-roll ishte inekzistente. Nuk luajtëm sipas marrëveshjes që e patëm,” numëroi kroati 32-vjeç që debutoi në basketbollin kosovar në palestrën Minatori sonte.
Kujtojmë, Bashkimi ka pësuar humbjen e tretë radhazi dhe konsiderohet si njëra ndër skuadrat e rrezikuara për rënie me ekipin që ka në dispozicion.
Rezultatet e mira të arritura në fillim të stinorit tashmë kanë filluar të shkrihen, pasi që ekipi ka rënë në bilans negativ, prej 10 fitoreve e 12 humbjeve aktualisht.
Deri në fund të stinorit të rregullt ka edhe gjashtë ndeshje për tu zhvilluar. Në xhiron e radhës Bashkimi pret njërin ndër ekipet më të forta të ligës, KB Golden Eagle Yllin, që ka bilans 14-8.