BERISHA
Të përgatitur maksimalisht
2 November, 2015 @14:22
Pasnesër Sigal Prishtina do të luaj ndeshjen e parë si vendas në FIBA Europe Cup, prej se Kosova u pranua në FIBA dhe një ekip yni po merr pjesë në këtë garë.
Rival është Astana e Kazakistanit, që llogaritet të jetë një skuadër e fortë. Kazakët kanë fituar ndeshjen e parë të Grupit K ku bën pjesë edhe Sigal Prishitina, ndaj AEK Larnacas nga Qiproja.
Basketbollisti më i mirë në Kosovë në tre vitet e fundit, Dardan Berisha, i cili është shpallë edhe MVP i Balkan League për stinorin që shkoi ka thënë se ekipi i tij është përgatitur maksimalisht para ndeshjes ndaj Astanës.
“Astana është favorite për ta fituar grupin. Bëhet fjalë për rival shumë të fortë, por ne do të hymë në parket për të dëshmuar lojë të mirë. Kemi informata për kundërshtarin e radhës dhe pas kthimit nga Rumania jemi përgatitur maksimalisht për lojën kundër tyre. Besojmë në forcën tonë dhe e dimë se mundemi të bëhemi çdo herë e më të mirë,” ka thënë Berisha për faqen zyrtare të FBK-së sot.
Sigal Prishtina u mposht në përballjen debutuese të Europe Cup ndaj Energias në Rumani.
Të mërkurën, në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve luajnë me Astanën në përballjen e dytë të Grupit K të Europe Cup.