PAS SKANDALIT ME TË PËRJASHTUARIT - NGA KONFERENCA PËR SHTYP
Të suspenduarit as që përmenden nga selektori e kapiteni!
8 September, 2024 @21:03
Franco Foda dhe Amir Rrahmani kanë qenë pjesë e konferencës së sotme për shtyp të Kosovës, para përballjes ndaj Qipros. Pasi që ekipi arriti në ishullin e Mesdheut, në konferencën e rregullt për shtyp para ndeshjes dyshja as që kanë përmendur të suspenduarit nga kombëtarja, Arijanet Muric, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija.
FFK-ja sot befasoi me një komunikatë të lëshuar, ku njoftoi për përjashtimin e treshes së lartëpërmendur nga kampi i kombëtares duke bërë të ditur se ata kanë thyer rregullat e vendosura nga FFK dhe selektori!
E tërë konferenca për shtyp, bashkë me përkthim në tre gjuhë, nuk zgjati as 5 minuta në total, ndërsa selektori gjerman i Kosovës, Foda bëri të ditur se ekipi është i fokusuar për duel ndaj qipriotëve, që kanë të fituar duelin e parë të grupit dhe kanë 3 pikë që tash.
“Pas ndeshjes së parë dhe humbjes bindëse ndaj Rumanisë 0-3, kemi bërë analizën e shkurtë të përballjes. Megjithatë jemi të fokusuar në ndeshjen që e luajmë nesër ndaj Qipros. Kemi analizuar ndeshjet e fundit të qipriotëve, përfshirë edhe fitoren e tyre të fundit. Janë të fortë dhe kanë futbollistë të mirë. Sonte shfaqim edhe analizën për futbollistët, të cilën e kemi përgatitur për lojën e nesërme ku do të shohim pikat e forta dhe të dobëta të tyre. Do të shohim së ç‘na sjell ndeshja,” ka thënë Foda.
Ndërkaq kapiteni i Kosovës Amir Rrahmani, i cili ka qenë i vetmi që ka dalë në konferencë për shtyp pas humbjes dëshpëruese ndaj Rumanisë më 6 shtator, tha se vetëm fitorja i kryen punë Kosovës.
“Ndeshja e nesërme është shumë e rëndësishme për ecurinë tonë, pasi që na jep shpresa për kualifikim tutje. Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe do të hyjmë në ato vetëm për fitore, pasi që vetëm ajo na bën punë,” ka thënë futbollisti i Napolit, Rrahmani.