KOSOVA

Toni Domgjonit i lejohet të luajë për Kosovën
Teksti: FFK
7 October, 2021 @15:30
Kombëtarja e Kosovës ka marrë një lajm të mirë në prag të udhëtimit për në Suedi në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.
Në fakt, FIFA e ka njoftuar sot FFK-në se kërkesa e saj për ndërrimin e kombëtares për mesfushorin e klubit holandez, Vitesse, Toni Domgjoni është miratuar dhe ai ka të drejtë të luajë për ekipin kombëtar të Kosovës.
Vendimi i Dhomës së Tribunalit të Futbollit në FIFA për shqyrtimin e statusit të lojtarëve ka efekt të menjëhershëm. Kjo do të thotë se Toni Domgjoni, i cili iu bashkua Dardanëve në grumbullimin e këtij muaji, do të ketë të drejtë loje qysh nga ndeshja kundër Suedisë.