TEAM OF THE WEEK
TOP 5-shja e javës në Ligën e Femrave (I)
30 October, 2020 @14:45
Pas ndeshjeve të përfunduara të xhiros së parë në Ligën e Femrave në basketboll, TopSporti.com ka përzgjedhur pesëshen e javës bazuar në performancat individuale të lojtareve.
Ekipin e javës e përbëjnë: Le’Jzae Davidson (Bashkimi), Gentiana Ismaili (Prishtina), Raven Baker (Vëllaznimi), Valbona Bytyqi (Penza) dhe Sarah Mgbeike (Vëllaznimi).
Vashat e Bashkimit pas titullit së fituar në Superkupë, e hapi edhe Ligën e Femrave me fitore ndaj Penzës, duke e mposhtur kundërshtaren me rezultat 105-68.
Më e dalluara te Bashkimi ishte amerikanja Le’Jzae Davidson. Ajo luajti me 30 pikë, 4 topa të rrëmbyer, 3 kërcime e 1 asistim.
Prishtina e mposhti Trepçën me rezultat 44-74. Pas një pushimi nga basketbolli për arsye personale, Gentiana Ismaili është rikthyer në parket në mënyrën më të mirë te Prishtina.
Gentiana në fitoren e skuadrës ishte më e dalluara. Ajo shkëlqeu me triple-double prej 20 pikëve, 12 kërcimeve e 12 asistimeve, derisa i rrëmbeu edhe 4 topa gjatë ndeshjes.
Penza ka pësuar humbje ndaj Bashkimit, por kapitenja e skuadrës Valbona Bytyqi ishte më e mira te skuadra pejane. Bytyqi luajti me 29 pikë, 10 kërcime, 3 asistime e 2 topa të rrëmbyer.
Vëllaznimi e mbylli xhiron në krye të tabelës në Ligën e Femrave, pas fitores ndaj Kastriotit me 49 pikë epërsi 51-100.
Në TOP 5-shen e javës nga Vëllaznimi arritën të hyjnë dy amerikanet e skuadrës, Raven Baker dhe Sarah Mgbeike.
Baker luajti me 33 pikë, 11 kërcime e 8 asistime, kurse Mgbeike ishte e pakapshme me 30 pikë, 18 kërcime, 7 asistime e 6 topa të rrëmbyer.