MITROVICASIT NË GJYSMËFINALE
Trepça kryen punë ekspres! Në gjysmëfinale ndaj Prishtinës
9 April, 2023 @18:54
Tashmë janë përcaktuar edhe zyrtarisht çiftet gjysmëfinale të PlayOffit të Superligës, ndërsa Trepça është bërë e fundit duke e fituar ekspres Bashkimin sonte për t’ua përfunduar këtyre stinorin e dështuar karshi premtimeve që i kishin në fillim!
Në anën tjetër mitrovicasit të sigurt në atë që donin, parakaluan shpejt ndaj prizrenasve për t’i eliminuar dhe për të siguruar për vete gjysmëfinalen pa aspak telashe, derisa në çerekun e parë nuk i lanë vendasit të shënojnë për gati tetë minuta lojë, për tu mbyllë 10-minutëshi i parë i ndeshjes 6-34.
Pas këtij momenti ndeshja mori normalitet, ndërsa epërsia e Trepçës nuk lëkundej fort, për tu mbyllur ndeshja me rezultat përfundimtar, 79-96 [6-34, 26-20, 18-21, 29-21]. Të drejtuar nga Engin Gençoglu, Trepça bëri serinë çerekfinale 2-0 dhe siguroi gjysmëfinalen ndaj Prishtinës, ku prishtinasit do të kenë epërsinë e terrenit vendas në serinë ku finalist bëhet ekipi që arrin së pari tri fitore, në sistemin e ndeshjeve 1-1-1-1-1.
Kendrick Brown dha 22 pikë në këtë ndeshje për Trepçën, ndërsa me double-double kreu lojën Andrew Gordon, që shënoi 21 pikë e bëri 11 kërcime. Turku Gençoglu i dha mundësi gati të gjithë lojtarëve në dispozicion minuta në këtë ndeshje, kurse ekipi u përgjigj mirë në kërkesat e tij, derisa mesatarisht lojtarët e dalluar luajtën rreth 20-minuta me pushim të mjaftueshëm.
Te Bashkimi, që me sonte i dha fund vuajtjes së mosarritjes së rezultateve të premtuara këtë stinor, më efikasi ka qenë shkodrani Daniel Lekndreaj, që dukej të jetë i vetmi lojtar me formë konstante këtë stinor te portokallezinjtë e drejtuar nga Audrius Prakuraitis. Lekndreaj luajti me 24 pikë, 2 asistime e 9 kërcime në këtë ndeshje.
Prentiss Nixon shënoi 18 pikë, ndërsa Dajuan Graf 17 të tjera në ndeshjen përshëndetëse të tyre, ku treguan karakter loje - veçanërisht lojtarët e huaj të Bashkimit. Graf mbylli duelin duke bërë edhe 6 asistime e 9 kërcime në këtë duel.
Trepça tash përgatitet për duelet e vështira me Prishtinën në gjysmëfinale të PlayOffit, ndërsa Bashkimi këtu mbyll stinorin 2022/22 dhe fillon të mendojë për stinorin e radhës 2023/24.