REAGIM
Vëllaznimi reagon ndaj vendimeve të Komisionit Disciplinor
24 March, 2017 @15:30
Dënimi prej 800 eurove gjobë dhe 7 muaj moslojë për futbollistin Jeton Dushi, është vlerësuar si i papranueshëm nga ana e skuadrës së Vëllaznimit.
Komisioni Disciplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës e ka dënuar Vëllaznimin për lëshimet e bëra nga ndeshja e xhiros XVIII kundër KEK-ut, ndërsa menjëherë më pas klubi gjakovar ka dal me një komunikatë, ku ka shprehur pakënaqësinë e tij.
Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë të klubit të Vëllaznimit…
“Pas vendimeve të Komisionit Disiplinor të Federatës së Futbollit të Kosovës, Kryesia e Klubit të Futbollit F.C.”Vëllaznimi” ka mbajtur mbledhje urgjente në të cilën janë analizuar këto vendime që kanë të bëjnë me Klubin tonë. Njëzëri u konstatua se ato janë të padrejta, tendencioze dhe shumë qëllimkëqija. Të përkujtojmë se Klubi ynë, kinse për organizim jo të mirë të ndeshjes me KEK-un është dënuar me 800 euro, ndërsa futbollisti ynë Jeton Dushi është dënuar me madje 7 muaj moslojë!
Sa i përket vendimit të parë, ai është shumë tendencioz, pasi gjatë tërë këtij kampionati Klubi ynë është përmendur për nivel të lartë të organizimit të ndeshjeve, për çka kemi marrë falënderime nga të gjitha skuadrat mysafire, pavarësisht se çfarë rezultati kanë arritur ato në Gjakovë. Pra, komisioni në fjalë si duket mezi e ka pritur lëshimin tonë të parë sa do të vogël për të na dënuar me dënim drastik, edhe pse tek të gjitha klubet e tjera, në raste të ngjashme është marrë masa “vërejtje” apo “qortim”. Pra, ndryshe nga klubet tjera, te ne është aplikuar arshin krejt tjetër. Befasia është aq më e madhe, kur nga përfaqësuesi zyrtar i klubit KEK-u kemi marrë falënderime për mikpritje. Si duket në këtë drejtim ndikim negativ ka pasur delegati Haxhi Ibërdemaj, i cili, çuditërisht në dy ndeshjet e para të kësaj pranvere ka qenë delegat në Gjakovë, dhe të dy herët është sjellë dhe ka vepruar në mënyrë shumë tendencioze.
Edhe më i papranueshëm është vendimi për ndëshkimin e futbollistit Jeton Dushi, me madje 7 muaj moslojë. Është e vërtet që ai është ndëshkuar me karton të kuq, por regjistrimi nga kjo ndeshje dëshmon se nuk ka pasur goditje të kundërshtarit por vetëm shtyrje. E, për raste të tilla, futbollistët, zakonisht janë dënuar me dy, tri apo katër ndeshje moslojë. Çuditërisht Komisioni Disiplinor i FFK-s, nuk e ka pa të udhës të shikon video regjistrimin, edhe pse i njëjti është në FFK, pasi vetë Klubi është i obliguar të paguaj regjistrimin e tërë ndeshjes dhe atë delegati e përcjell në FFK.
Duke i pasur këto parasysh, Kryesia e Klubit e ka vlerësua se këto vendime janë të padrejta, tendencioze, qëllimkëqija dhe të paqëndrueshme. Do të bëjmë çmos që asnjë individi apo komisioni të mos ua lejojmë të luajnë me fatin e një klubi me traditë 90-vjeçare çfarë është Vëllaznimi. Fatkeqësisht tendenca të tilla kanë filluar të vërehen, por ne nuk do të rrimë duarkryq dhe nuk do ta lejojmë një gjë të tillë.
Kryesia e F.C. “Vëllaznimi”