Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORJA E 15 RADHAZI

Ylli kaloi vështirë Vëllaznimin, vetëm pas vazhdimeve

Ylli kaloi vështirë Vëllaznimin, vetëm pas vazhdimeve


22 January, 2023 @23:26

Aspak lehtë, aspak sic kanë menduar para ndeshjes, por në fund e arritën fitoren. Ylli është dashur të luajë vazhdimet për të mposhtur Vëllaznimin ashtu që të sigurojë fitoren e 15 me radhë në Superligë dhe të ruajë lidershipin në renditjen tabelare.

Suharekasit përkundër që arritën të rikthehen në ndeshje pas pjesës së parë jo fort të mirë, në fund me pikën e Henrik Sirkos nga gjuajtja e lirë cuan ndeshjen në vazhdime, pasi ajo u krye 66-66.

Pas vazhdimeve, gjithashtu ngushtë Ylli bëri dallimin me treshen e Gëzim Morinës, që nuk i dha më mundësi kuqezinjëve për rikthim dhe një befasi të madhe, ndërsa ndeshja përfundoi Ylli 79-76 Vëllaznimi [13-24, 17-14, 17-11, 19-17, 13-10].

Vëllaznimi ishte më i mirë në pjesë të parë, ndërsa Ylli dalëngadalë u rikthye në pjesë të dytë. Gjakovarët u treguan të rrezikshëm në pjesën më të madhe të ndeshjes, por në fund, festa u bë nga vendasit me përvojë.

TABELA AKTUALE

Valon Bunjaku që shënoi vetëm dy pikë te kampioni sonte, ka bërë 10 asistime e 6 kërcime për të treguar nivelin e lartë të tij të përgjegjësisë, ndërsa më efikasi te Ylli ka qenë Bashir Ahmed që dha 19 pikë. Chris Harris luftoi mjaft nën kosh, ndërsa pos 8 pikëve bëri edhe 17 kërcime në këtë fitore, për ta mbajtur ekipin e tij lider në renditje.

Performanca gjigande e Damonte Doddit nuk mjaftoi te Vëllaznimi. Dodd dha 14 pikë bëri 24 kërcime, 2 asistime e 2 topa të rrëmbyer - që në fund nuk mjaftuan për pak. Atik Koshi shënoi 13 pikë, ndërsa më efikasi ka qenë Jahii Carson që dha 17 pikë.

Ndoshta, penalizimi i gjakovarëve erdhi prej gjuajtjeve për tri pikë, ku nga 26 tentime në total prej krejt ekipit, u shënuan 4, me përqindje saktësie 15, kurse Ylli kishte përqindjen 25, duke dhënë 6 nga 24 tentime!

Me fitoren e arritur sonte, Ylli ruan lidershipin në kampionat, ndërsa shënon fitoren e 15 të stinorit duke bërë bilancin 15-4. Vëllaznimi në anën tjetër, bëhet me 7-12 dhe është i parafundit në renditje.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga