FINAL8: RAHOVECI - GOLDEN EAGLE YLLI
Ylli shkel edhe Rahovecin, arrin finalen e dytë rresht
5 February, 2021 @17:43
Nikoqiri i “Final 8”, Golden Eagle Yllit, është finalisti i parë i Kupës së Kosovës.
Ekipi suharekas arriti ta shkruajë emrin në finale pas fitores përballë Rahovecit, të cilin e mposhti me rezultat të thellë 66-87.
Ndeshja ishte më e barabartë gjatë pjesës së parë, ndërsa dallimi në rezultat u krijua gjatë çerekut të tretë që përfundoi me rezultat 7-19 në të mirë të Yllit. Këtë epërsi më pas vendasit arritën ta ruajë e madje edhe ta thellojnë deri në fund të ndeshjes duke mos lejuar të rrezikohet fitorja në asnjë çast.
Pesë basketbollistë të Yllit shënuan pikë dyshifrore në këtë ndeshje, derisa më i dalluari ishte Valon Bunjaku që shënoi gjithsej 24 pikë. Kontribut të rëndësishëm dhanë gjithashtu edhe Erjon Kastrati me 19 pikë, Eliyah Clark me 16 pikë dhe Demetris Morant që luajti me double-double prej 12 pikë e 14 kërcimeve.
Në anën tjetër, te vreshtarët ishte Arian Qallaku ai i cili u mundua të bëjë diç më shumë duke shënuar 22 pikë për ekipin e tij.
Vlen të ceket se te Ylli në këtë ndeshje u rikthye edhe basketbollisti shqiptar, Frenki Lilaj, i cili me pak minuta sa kishte, u mundua ta mbulojë hapësirën e zbrazët nga mungesa e Gëzim Morinës së lënduar.
Në finale Ylli do të përballet me fituesin e gjysmëfinales së dytë ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Sigal Prishtinës.
Për ndryshe, kjo është finalja e dytë rresht për Golden Eagle Yllin, pasi edhe vitin e kaluar e kishte arritur këtë sukses, ku ishte mposhtur më pas në finale nga Peja.