GRONINGEN - PRISHTINA
+20 s’mjafton, Prishtina s’i bën ballë Groningenit dhe eliminohet
22 September, 2018 @21:47
Përkundër epërsisë 20 pikëshe nga ndeshja e parë, Prishtina sonte zhvilloi paraqitje mjaft të dobët në ndeshjen kthyese ndaj Groningenit në kuadër të raundit të parë kualifikues drejt Basketball Champions League, për t’u mposhtur me rezultat 80-55 dhe për t’u eliminuar në këtë raund të kësaj gare, njëjtë sikurse në sezonin e kaluar.
Pjesa e parë e ndeshjes kaloi me dominim të plotë të holandezëve, të cilët për dallim nga ndeshja e parë në Prishtinë, sonte gjuanin me saktësi më të madhe nga loja dhe ishin më të përqëndruar në mbrojtje, kurse Prishtina në anën tjetër dukej komplet ndryshe nga ajo e dy netëve më parë. Pas 20 minutave lojë, rezultati në semafor shënonte 46-25 për Groningenin, rezultat i cili e gjente Prishtinën ‘të eliminuar’ pas pjesës së parë. Madje, përveç disavantazhit të lartë, në fund të pjesës së parë nga kamerat ra në sy një grindje ‘e ashpër’ mes Dardan Berishës dhe amerikanit Divine Myles, që të dy lojtarë të Prishtinës, të cilët duket se kishin mospajtime mes vete sa i përket lojës në pjesën e parë. Pjesën e dytë kjo dyshe e filloi nga banka rezervë.
Në pjesën e dytë, Prishtina filloi pak më mirë, duke e zvogëluar paksa disavantazhin e pjesës së parë. Pas 30 minutave lojë, rezultati i ndeshjes ishte 60-42 në të mirë të Groningenit. E në çerekun e fundit, përkundër tentimeve për t’u mposhtur nën 20 pikë disavantazh, kryeqytetasit nuk arritën t’i bënin ballë fuqisë holandeze të Groningenit dhe ndeshjen e mbyllën me humbje 80-55, rezultat i cili nënkupton eliminim nga gara, pasi që epërsia në rezultat e Groningenit sonte (25 pikë) është më e madhe sesa ajo e fitores së Prishtinës në ndeshjen e parë (20 pikë).
Më i dalluari te Groningeni sonte Jason Dourisseau me 15 pikë, 3 kërcime, 3 asistime e 3 vjedhje të topit, kurse te Prishtina u veçua Anthony Davis Jr., i vetmi lojtar me pikë dyshifrore te Prishtina, me 17 pikë, 5 kërcime, 2 vjedhje të topit e 1 asistim.
Pas eliminimit nga kjo garë, Prishtina mbetet pjesë e dy garave të tjera ndërkombëtare, FIBA Europe Cup dhe BIBL.