LIPJANI - PRIZRENI
Prizreni triumfon në duelin e debutuesve
22 September, 2018 @16:48
Prizreni ka nisur me fitore edicionin debutues në Superligë. Ekipi i drejtuar nga trajneri Arbnor Rifati ka shënuar fitore ndaj Lipjanit në përballjen e parë të skuadrave si anëtare të Superligës.
Prizreni ka mposhtur me pak telashe ekipin e Lipjanit, duke krijuar avantazh të mjaftueshëm pas çerekut të tretë dhe në të katërtin ka mbajtur tempon e lojës për të arritur te fitorja e parë kampionale në Superligë, 74-87.
Pesë lojtarë kanë shënuar pikë dyshifrore te ekipi i Prizrenit. Ndërsa nga ta më efikasi ka qenë Brandon Scott me 21 pikë e 8 kërcime.
Elliott Cole ka qenë i mirë me goditje nga distanca, duke e kryer ndeshjen me 20 pikë, prej të cilave 5 treshe nga 8 tentime, shto këtu edhe 9 asistime.
E amerikani tjetër, Jaquan Smith, ka kryer takimin me double-double, 14 pikë e 10 kërcime.
Ndërkaq, te Lipjani lojë të mirë ka treguar Kevin Phillips që kreu ndeshjen me 18 pikë të shënuara e 10 kërcime. Por, më efikasi ka qenë përforcimi vendor i lipjanasve, Musab Mala, që ka shënuar 21 pikë e 4 asistime.
Pas kësaj ndeshjeje, Lipjani i shkon Prishtinës, ndërsa Prizreni pret Borean.