PRISHTINA - GRONINGEN
Super Prishtina, fitorja e parë kosovare në Champions League
20 September, 2018 @21:44
Në duelin e parë të raundit të parë kualifikues drejt Basketball Champions League, Prishtina ka shënuar fitore me rezultat 84-64 ndaj skuadrës holandeze Donar Groningen në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, i cili sonte i mbushur me shikues. Kjo ishte fitorja e parë e një klubi kosovar në Champions League, pasi që në vitin e kaluar Prishtina ishte mposhtur në të dyja takimet e zhvilluara ndaj skuadrës Tsmoki Minsk.
Përveç faktit që Prishtina ishte gjatë gjithë kohës në epërsi në pjesën e parë, duhet veçuar që të gjitha pikët e Prishtinës në këtë pjesë (gjithsej 46) u shënuan nga përforcimet e huaja, pra asnjë lojtar vendor nuk shënoi pikë në këtë pjesë, ndërsa mysafirët holandezë u treguan të dobët nga gjuajtjet për tri pikë, ku nga plot 17 tentime për 20 minuta, shënuan vetëm 2 herë, gjë që ndikoi që Prishtina ta mbyllte pjesën e parë me epërsi 13 pikëshe, 46-33.
Në pjesën e dytë, loja e mirë e Prishtinës vazhdoi dhe epërsia vetëm filloi të rritej gjithnjë e më tepër. Me saktësi relativisht të mirë në gjuajtjet nga loja dhe me shumë pak topa të humbur, kryeqytetasit nuk lejuan për asnjë çast që të diskutohej mbi fituesin e duelit dhe ndeshjen e mbyllën me rezultat përfundimtar 84-64, pra me epërsi 20 pikëshe që i afron shumë me kualifikimin për në raundin e dytë.
Më i dalluari në këtë fitore të Prishtinës ishte Anthony Davis Jr. me 25 pikë, 9 kërcime, 2 bllokada, 1 asistim dhe 1 top të vjedhur, kurse te Groningeni u veçua Shane Hammink me 11 pikë, 5 kërcime e 2 asistime.
Dueli i kthimit mes skuadrave në fjalë do të zhvillohet pas dy ditëve në Holandë, aty ku Prishtinës i mjafton edhe një humbje nën 20 pikë disavantazh për të kaluar në raundin e dytë kualifikues të garës në fjalë.
Sa për kuriozitet, kundërshtari i Prishtinës sonte, në sezonin e kaluar ishte pjesë e Final Four-it të FIBA Europe Cup, garë në të cilën Prishtina nuk arriti ta kalonte fazën grupore.