DUELI I LIGËS SË KAMPIONËVE
Sonte, Prishtina - Groningen
20 September, 2018 @11:46
Përgatitjeve u erdhi fundi dhe tashmë Prishtina është para testit të parë të vërtetë për edicionin 2018/19.
Nënkampionja e Kosovës në basketboll sonte në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë pret ekipin holandez, Donar Groningen.
Ndeshja është e vlefshme për raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve në basketboll, dhe pas dy ditësh luhet menjëherë ndeshja e kthimit.
Skuadra që del më e mirë nga dy takimet, kalon në raundin e dytë kualifikues.
Prishtina në këtë garë debutoi në stinorin e kaluar, ku nuk arriti të kalojë pengesën e parë.
Bardhekaltërit ishin mposhtur në të dyja ndeshjet nga ekipi bellorus, Tsmoki Minsk (50-57 në Prishtinë dhe 74-89 në Minsk).
Groningen është kampion aktual i Holandës në basketboll, ndërsa në stinorin e kaluar ka arritur në Final Four të FIBA Europe Cup (garë kjo ku Prishtina nuk kishte arritur të dalë nga grupi).
Ndër emrat e njohur te ekipi holandez është qendra gjigande kroate, Drago Pasalic, që me përvojën e tij të madhe (34 vjeç, 208 cm, 107kg) mund të shkaktojë telashe nën koshin e kryeqytetasve.
Në ditët e kaluara Prishtina luajti disa miqësore me skuadrat nga Kosova dhe Mali i Zi, ndërsa së fundmi triumfoi bindshëm dhe pa harxhuar shumë energji në Superkupë të Kosovës duke e mposhtur Bashkimin dhe kështu ngriti trofeun e parë të këtij stinori dhe të dytin këtë vit, pas triumfit në Kupë gjatë shkurtit.
Prishtina deri tash ka regjistruar 14 lojtarë të ri në ekip. Ndër afrimet më të bujshme është ai i Dardan Berishës, kurse si shtesë ekipi ka marrë edhe shtatë basketbollistë të huaj në ekip. Shto këtu edhe forcat vendore që i ka, bardhekaltërit do të mund të llogarisin në një rezultat të mirë sonte, me trajnerin e ri Matthias Zollner që do të debutojë në ndeshje zyrtare ndërkombëtare me ekipin e ri.
Ndeshja nis në ora 20:00 sonte, ndërsa biletat kanë dalë në shitje, pranë “Newbornit” në kryeqytet.