DY PENALLTI, KARTON I KUQ DHE FITORE E VENDASVE!

Ardit Tahiri siguron fitoren e Llapit, mes penalltive të humbura
16 March, 2025 @21:20
Ardit Tahiri ka shënuar dy gola, ka nxjerrë penallti dhe nuk ka arritur të shënojë një penallti, sikurse edhe Mevlan Zeka te kundërshtari, ashtu që në fund, Llapi të mposht Suharekën në derbin e pjesës së poshtme të tabelës, Llapi - Suhareka 2-0 [Ardit Tahiri 33’, 82’].
Dueli në “Zahir Pajaziti” ka dhuruar raste, gola, por edhe karton të kuq. Pas golit të epërsisë, të shënuar bukur nga Ardit Tahiri, Suhareka në kohën shtesë të pjesës së parë fitoi penallti.
Penalltia erdhi pas golit të tyre, derisa referi sinjalizoi për golin e tyre të shënuar të pavlefshëm pasi që kishte sinjalizuar një-dy sekonda më parë për 11-metërsh! Mevlan Zeka (45’+2) shutoi, Marijan Coric, që shkaktoi penalltinë, e mbrojti atë! Që në sulmin tjetër, një duel dhe një ngritje e rrezikshme e këmbës nga Arbnor Ramadani (45’+5) bëri që gjyqtari kryesor i ndeshjes Ilir Mehmeti të mos ketë dilema. Ramadani u skuq në minutën e fundit shtesë të pjesës së parë!
Në pjesë të dytë Suhareka me trajnerin e ri të ekipit, Mirel Josa, dukshëm më kërkuese për gol. Por, përkundër nja dy rasteve të mira, goli nuk erdhi. E në një kundërsulm tjetër të Llapit kah fundi i ndeshjes, Ardit Tahiri nxorri penallti.
As ky nuk arriti të shënojë penalltinë, pasi që e mbrojti portieri Eurolind Avdimetaj i Suharekës, por sulmuesi Tahiri topin e dëbuar nga portieri e shtyu në portë për të siguruar fitoren tepër të rëndësishme për ekipin e Tahir Batatinës.
Kjo fitore ka qenë e rëndësisë së madhe për Llapin që tashmë ka dalë në pozitën e tetë (të barazhit) pas XXV xhirosh, duke barazuar pikët me Suharekën (29) që është e nënta tash (pozitë e rënies nga Superliga).