Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

YLLI - RAHOVECI

Asgjë nuk përfundon! Rahoveci me fitore të madhe në Suharekë

Asgjë nuk përfundon! Rahoveci me fitore të madhe në Suharekë


2 May, 2021 @21:59

S’ka finalist as nga Suhareka. Pas duelit gjysmëfinal Peja - Ponte Prizreni, edhe dueli tjetër mes Golden Eagle Yllit dhe Rahovecit do ta mësojë finalistin pas ndeshjes së pestë të serisë.

E gjithë kjo për “faj” të Rahovecit, i cili ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme, për ta barazuar serinë gjysmëfinale në 2-2 pas një drame të vërtetë në Suharekë.

Vreshtarët e nisën ndeshjen po thuajse në mënyrë perfekte, duke e lënë Yllin në vetëm 4 pikë në çerekun e parë, të cilën e mbyllën me rezultat 4-21.

Pas startit katastrofal Ylli u këndell dhe dalëngadalë u rikthye në rezultat, ndërsa edhe 4 minuta e gjysmë para fundit u afrua në vetëm 3 pikë, 56-59.

Rahoveci më pas edhe njëherë u shkëput në rezultat, por fituesi përsëri u vë në dyshim me 3 pikëshin e Elyjah Clark edhe 15 sekonda para fundit, për rezultatin 65-68.

Më pas Arian Qallaku ishte i pasaktë nga dy tentimet prej gjuajtjes së lirë dhe Ylli kishte mundësi për ta barazuar rezultatin dhe për ta çuar ndeshjen në vazhdime, por në sekondën e fundit Erjon Kastratit ishte i pasaktë për 3 pikë dhe ndeshja përfundoi me rezultat 65-68.

SKEMA E PLAY OFF-IT

Qendra e Rahovecit, Ed Daniel, ishte më meritori në këtë fitore duke shkëlqyer me double-double prej 23 pikëve dhe 19 kërcimeve, ndërkaq atij iu kundërpërgjigj Gëzim Morina me 15 pikë e 13 kërcime.

Tani finalisti nga ky duel gjysmëfinal do të përcaktohet në ndeshjen e pestë dhe të fundit, e cila do të zhvillohet të martën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga