GAZI
BOROZANI/ Lis Dorambari
Asllani beson në playoff
30 March, 2013 @19:17
Kampioni aktual i Kosovës në basketboll, Trepça, ende nuk e ka të sigurtë kualifikimin në fazën përfundimtare të garave në BKT Superligë.
Kërcënimi më i madh për mitrovicasit vjen nga skuadra debutuese e këtij edicioni, RTV 21.
Teleboysat me fitoren e fundit ndaj Pejës shpresojnë të kualifikohen në playoff, duke e lënë jashtë TOP 4-shes, Trepçën.
Në ndeshjet e luajtura ndërmjet këtyre dy ekipeve, 21-shi ka bilanc më të mirë pasi ka shënuar dy fitore dhe një humbje, ndërsa në rast se fitohet edhe ndeshja e katërt kundër xehetarëve, atëherë çdo gabim i vogël i tyre mund ta lë kampionin aktual jashtë playoff-it.
Megjithatë, njëri ndër basketbollistët më të mirë të Trepçës, Gazmend Asllani, ka besim të plotë te skuadra e tij.
“Deri në fund të pjesës së rregullt të garave kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje dhe gjërat mund të ndryshojnë. 21-shi po luan mirë, por ne i kemi dy pikë më tepër dhe nuk do të bëjmë gabime, në mënyrë që ta sigurojmë pozitën e katërt,” ka thënë Asllani për të përditshmen Kosova Sot.
“Ne besojmë se do t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, por edhe nëse e bëjmë një gabim, prapë nuk na rrezikohet pozita e katërt. Me Prishtinën luajmë si vendas, ndërsa me Pejën, Bashkimin e 21-shin si mysafirë, por jemi shumë optimistë se do ta arrijmë qëllimin tonë,” ka shtuar snajperisti mitrovicas.
Trepça në xhiron e radhës (23) e pret Kosovën e Vushtrrisë, ndërsa me rivalin e drejtpërdrejtë, RTV 21-shin, do të luajë në xhiron e 26-të.