PRIZRENI - BASHKIMI

Bashkimi fiton thellë derbin lokal në Kupë, për të siguruar gjysmëfinalen
10 February, 2022 @21:44
Bashkimi ka bërë një paraqitje tepër të mirë në përballje ndaj Prizrenit 16 sonte në kuadër të çerekfinales së Final 8 të Kupës së Kosovës, për ta shkruar emrin në gjysmëfinale të garës.
Portokallezinjtë kanë kaluar shumë më lehtë sesa që është pritur rivalin lokal duke e mposhtur me 25 pikë dallim, duke e ndalë në 69 pikë, ndërsa kanë shënuar 94 pikë, në përfundimtaren 69-94 [15-30, 21-10, 18-28, 15-26].
Mungesa e Koljevic dhe pikët e para të Fells
Humbjes së Prizrenit 16 i ka kontribuuar edhe mungesa e playmakerit të ekipit, Ivan Koljevic, që nuk është në ekip, derisa të tjerët nuk ndezën pa malazezin me përvojë.
Njëri ndër lojtarët më të mirë të bardhezinjëve, Courtney Fells, pikët e para i shënoi në minutën e fundit të çerekut të dytë të ndeshjes, që tregon shumë për lojën e ekipit të Arbnor Rifatit sonte.
Gjithsesi, Bashkimit në anën tjetër i shkonte për dore thuajse gjithça, ndërsa qendra e re e ekipit John Florveus shkëlqeu nën kosh, duke kryer lojën me double-double prej 22 pikëve, 11 kërcimeve dhe duke bërë 5 bllokada!
Valon Bunjaku superior
Julien Lewis shutoi 4/7 për tre pikë, ku deri vonë kishte saktësi prej 80% për të kryer lojën me saktësi 57% për tri pikë.
Por, më i dalluari te Bashkimi ka qenë i gjithanshmi, reprezentuesi Valon Bunjaku që për pak ishte ta kryente lojën me triple-double, pasi që shënoi 16 pikë, bëri 9 kërcime e shtoi 8 asistime në llogari të tij gjatë kësaj fitoreje të ekipit të drejtuar nga kroati Branimir Pavic.
Dueli i radhës
Me fitore, Bashkimi kalon në gjysmëfinale të Kupës ku e pret kampioni aktual i Superligës, Ylli. Ndeshja do të luhet të premten, në Karagaç të Pejës.
Në anën tjetër Prizreni 16 me këtë ndeshje eliminohet nga Final 8 e Kupës së Kosovës.