TREPÇA FITON, POR MJAFT VËSHTIRË
Bashkimi luftoi mjaft, por Trepça fitoi në fund
6 April, 2023 @23:40
Tepër interesant ishte dueli i parë i çerekfinales së dytë të PlayOffit ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit, ndërsa dueli u përcaktua në minutën e fundit të ndeshjes, kur mitrovicasit arritën fitoren me vetëm 4 pikë dallim karshi prizrenasve për të nisur mbarë serinë.
Vetëm 27 sekonda para fundit të ndeshjes Lekndreaj kishte shënuar për të bërë rezultatin 90-88, ndërsa në sulmin tjetër u faulua Artis, që dha pikët nga gjuajtjet e lira për të bërë dallimin 4 pikë përsëri, e koha e mbetur prej 8 sekondash nuk mjaftoi për më shumë, pos një shuti të Morinës për tre, që nuk gjeti koshin.
Trepça mposhti Bashkimin 92-88 [29-29, 20-19, 19-14, 24-26] për të marrë epërsinë në serinë çerekfinale 1-0, ndërsa Kendrick Brown ka qenë koshashënuesi më i mirë i ekipit me 23 pikë të shënuara dhe 8 asistime të bëra.
Brown ishte tejet i saktë edhe në shutime për tri pikë duke dhënë 5 nga 7 tentime, ndërsa bëri edhe 3 kërcime në këtë ndeshje. Me 13 pikë luajti Jamal Artis, ndërsa me double-double lojën e kreu Drilon Hajrizi, që dha 11 pikë, 5 asistime e 11 kërcime. Njëjtë double-double bëri edhe Will Daniels, 12 pikë, 10 kërcime.
Te Bashkimi Daniel Lekndreaj ka qenë më i dalluari. Shkodrani dha 25 pikë, bëri 1 asistim e 7 kërcime, por që në fund nuk mjaftuan, derisa ekipi portokallezi luajti me 5 lojtarë kryesisht, duke përdorur shumë pak kapitenin Qëndrim Biraj dhe të talentuarin e ri Hajriz Hazerin. Asnjëri nga këta dy nuk arritën të shënojnë pikë!
Dajuan Graf dhe Fisnik Rugova luajtën pa pushim sonte, duke qenë nga 40-minuta në lojë, ku i pari dha 19 pikë, 8 asistime e 2 kërcime, ndërsa tjetri 13 pikë, 1 asistim e 7 kërcime.
Dueli i dytë luhet pas tri ditësh në 13 qershori. Fitorja e Bashkimit në atë ndeshje do të barazonte serinë në 1-1 dhe dueli do të shkonte në Minatori për vendimtare. Nëse Trepça e fiton edhe këtë ndeshje, atëherë seria me 2-0 përfundon dhe xehetarët kalojnë në gjysmëfinale ku i pret Prishtina.