EDHE NJË FITORE

Foto: KBBashkimi/fb
Bashkimi mposht edhe Levskin në Sofje
21 February, 2023 @19:19
Asnjë fitore përgjatë pesë ndeshjeve të para, ndërsa brenda dy ditësh ekipi i Bashkimit në mysafirllëk të Bullgarisë regjistroi dy fitore të shpejta për të përmirësuar dukshëm bilancin nga 0-5 në 2-5 pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara në kuadër të BIBL 2022//23.
Ekipi i Audrius Prakuraitis pas fitores së mbrëmshme ndaj Beroes, sonte ka mposhtur Levskin 2014 në Sofje, për të regjistruar fitoren e dytë me radhë si dhe të dytën si mysafir, ndërsa rezultati përfundimtar i ndeshjes ishte Levski 79-84 Bashkimi.
Ndeshja gjatë gjithë kohës ishte e barabartë, ndërsa ekipi prizrenas dallimin e bëri në çerek të fundit, kur me 22-27 krijoi avantazhin e nevojshëm për fitore. Sipas çerekëve, 17-17, 26-24, 14-16, 22-27.
Samardo Samuels shkëlqeu nën kosh sonte, duke luajtur me 23 pikë dhe bëri 9 kërcime. Ndërsa Daniel Lekndreaj ishte i vetmi në ekip që bëri double-double duke dhënë 18 pikë e 10 kërcime. Dajuan Graf përsëri u tregua instrumental në organizim, ndërsa bëri 13 pikë e 6 asistime.
Fitorja bën që Bashkimi të dalë nga fundi i tabelës me bilanc 2-5, ndërsa Levski 2014 tash ka bilanc 1-6 dhe është i fundit në renditje.