PRIZREN

BOROZANI/Erdis Driza/Arkiv
Bashkimi, për ambasador
5 June, 2015 @19:22
Bashkimi deri këtë stinor, 2014/15, është ndër ekipet e vetme të mëdha sportive nga qyteti i Prizrenit, që është pjesë e elitës kosovare.
Komuna e Prizrenit vetëm në stinorin e fundit është kyqur në përkrahje të KB Bashkimit dhe me gjasë kjo përkrahje do të duhej të vazhdojë dhe të jetë më e fuqishme si parakusht esencial që kryesia e klubit të vazhdojë punën në kontinuitet.
Ngritja e rivalitetit dhe Balkan League
Ata janë të gatshëm edhe për tërheqje nga detyra nëse për stinorin tjetër nuk marrin përkrahje të mjaftueshme për t’i bërë ballë dyshes kryesore në Superligë, Prishtinës e Pejës.
Mirëpo, mundësia për tu inkuadruar në Ligën Ballkanike për stinorin e radhës, u jep shpresa atyre, ka theksuar Shaqir Totaj, në një bisedë me Borozani.com.
E motivuar nga sukseset e klubit, e udhëhequr nga kryesia aktuale Komuna e Prizrenit është kyqur në përkrahje të klubit në stinorin e fundit dhe pas hapjes së mundësisë që KB Bashkimi të garojë në ligën ballkanike ka indikacione pozitive se kjo përkrahje jo vetëm do të vazhdojë por edhe do të rritet, që për kryesinë aktuale të klubit do të jetë arsye dhe motiv shtesë për të vazhduar.
Inkuadrimi i Bashkimit në ligën ballkanike jo vetëm që do të bënte ekipin më të fortë, por në të njejtën kohë do të përfitonte edhe Prizreni, që është qytet i dytë me hapësirë dhe banorë në Kosovë, për kah madhësia.
Delegacionet nga rajoni dhe skuadrat me tifozëritë e tyre, do të mund të krijonin një publicitet shumë të mirë për Prizrenin, ndërsa vetë qyteti ka çka t’i ofrojë mysafirëve, që do të shtonte edhe qarkullimin financiar të lokaleve kryesisht hoteliere dhe vendeve tjera që kanë të bëjnë me turizmin. E kjo posaçërisht do të ndikonte në stinën përtej vjeshtës deri në pranverë, kur qyteti pushon nga festivalet e shumta verore.
“Përkrahja signifikante nga Komuna do të na mundësonte që të krijojmë një ekip garues serioz, i cili do të përfaqësonte dhe promovonte në mënyrë të denjë qytetin, që ka potenciale të shumta turistike, sportive, historike dhe kulturore,” ka thënë ndër të tjera Totaj.
Sportivisht, pas këndelljes së Lirisë dhe kthimit në Superligë të futbollit, Prizreni nga sportet e popullarizuara ka vetëm basketbollin që ka mbajtur gjallë publikun mbi 3 mijë vetësh gjatë stinorit (tetor-maj).
Mundësitë
Bashkimi ka arritur të plasohet dy herë në finale të Kupës në këto vitet e fundit gjatë drejtimit të kësaj kryesie, ka luajtur finalen e Superkupës këtë stinor, derisa në Superligë, është standard gjysmëfinaliste e Play-Offit.
Pjesën dërrmuese të buxhetit të klubit ata e kanë siguruar nga përkrahja financiare dhe jo financiare e biznesve të mesme dhe të vogla nga qyteti i Prizrenit të cilat meritojnë komplimente, derisa zhgënjimi më i madh ka qenë sponzori gjeneral, kompania e sigurimeve Kosova e Re, ka shtuar Totaj, që nuk ka përmbushur as 50% të premtimeve dhënë në mënyrë vullnetare në fillim të stinorit 2014/15 edhe pse ka marrë publicitetin nga ana e KB Bashkimi, që ka bartur emrin e sponzorit general gjatë tërë stinorit garues.
Me një shtytje nga Komuna, që do të duhej të kishte qasje parimore në këtë aspekt, Bashkimi do të bënte një hap tutje si në basketbollin vendor ashtu edhe atë ndërkombëtar.
E kjo, jo vetëm se do të shtonte interesimin për Prizrenin si arenë sportive, por do të shtone dhe lëvërdinë ekononike në kohët kur kryesisht është qetë aty.
Qyteti i Prizrenit, e sidomos tifozëria Arpaxhikët, meritojnë të kenë një ekip përfaqësues në gara ndërkombëtare, ku përfitimet do të ishin të shumëllojshme.