RËNIA E MBROJTJES VENDOSI

Foto: FBK
Beciragic: Përgëzoj lojtarët për luftën, në disa raste u treguam si të pa përvojë
23 April, 2023 @11:06
Kampioni aktual i Superligës ra nga froni dhe këtë stinor Superliga do të ketë kampion të ri, pasi që Ylli pësoi mbrëmë nga Peja në ndeshjen e katërt të serisë gjysmëfinale të PlayOffit për tu mposhtur dhe eliminuar nga gara për titull kampioni me rezultat të ndeshjeve, 3-1.
Strategu i Yllit, me të cilin ekipi fitoi dy tituj radhazi, Adis Beciragic, ka thënë se përkundër të gjitha problemeve që kishin në ekip me lëndime, mungesa dhe të tjera, lojtarët e tij kanë luftuar si luanë dhe kanë dhënë maksimumin e tyre për të kërkuar fitoren në ndeshje, kurse në disa raste si pre e emocioneve ata u treguan sikurse të ishin të pa përvojë, që sipas tij i kushtoi në fund.
“Po, pjesa e parë ka qenë jo e mirë për ne, që ka qenë edhe e pritur pas tri ndeshjeve të mira që i kemi zhvilluar. Kemi filluar të shutojmë dhe kur ato nuk hynin, si pre nga emocioni, kemi rënë edhe nga loja në mbrojtje. Disi u ngutnim të shutonim, edhe pse kishim kohë, sikurse të ishim pa përvojë. Përndryshe lojtarët kanë luftuar deri në fund me gjithë këto pengesa që kishim nga lëndimet, e tjera,” ka thënë Beciragic 53-vjeçar.
Përndryshe, pyetur për lojën e mirë që tregoi kapiteni Gëzim Morina aty, Beciragic ka thënë se Gëzimi duhet të vazhdojë secilën ndeshje si sonte, nëse ky djalosh jep maksimumin si në këtë ndeshje, si në PlayOff, potenciali i tij do të jetë edhe më i madh.
“Shpresoj që Gëzimi të vazhdojë kështu në secilën ndeshje, për këtë kemi punuar këtu qe tre vite. Ai duhet të luajë gjithmonë si sonte, të jap maksimumin në secilën ndeshje,” ka shtuar ndër të tjera trajneri boshnjak i Yllit, që në fund edhe uroi Bajramin të gjithëve që e festojnë.