PEJË
Besa vjen e riorganizuar
8 July, 2014 @8:56
Klubi i basketbollit Besa nga Peja, pas stinorit debutues në Superligën e Kosovës, ku përfundoi në vend të gjashtë të tabelës, premton risi të shumta në stinorin në vijim.
Sipas kryetarit të këtij klubi, Arbër Elshani, Besa vjen me kryesi të re dhe bord të ri - që do të shtojë profesionalizmin në skuadër.
Derisa ekipi pejan ka siguruar disa sponzorë që tash, pritet që me ardhjen e Dren Zatriqit si menaxher të klubit Besa të merr kahje më profesionale.
“Jam i kënaqur që menaxhimi i skuadrës ka ra në dorë të Dren Zatriqit, një njeri ideal për këtë punë. Edhe bordi i ri është mjaft energjik dhe presim që Besa të tregohet tani në të gjitha aspektet,” ka thënë Elshani në një prononcim për Borozani.com.
Ai më tej ka treguar se Besa nuk e ka ndalë punën, përkundër përfundimit të stinorit dhe ka punuar brenda në klub që në stinorin e ri pritet të ketë një dukje krejt tjetër, më të mirë dhe më profesionale.
Ekipi pejan, ishte krijuar dy stinorë më parë në emrin Studenti, duke dalë që në vitin e parë nga Liga e Parë për në Superligë, kur edhe ndërroi emrin në Besa. Ata befasuan për të mirë në stinorin e tyre debutues duke përfunduar kampionatin në vend të gjashtë, derisa arritën edhe në Final Four të Kupës së Kosovës.