Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TREPÇA BARAZON SERINË!

Brown e Gordon përgjigjen, Trepça barazon serinë në 2-2! Finalisti përcaktohet në Prishtinë

Brown e Gordon përgjigjen, Trepça barazon serinë në 2-2! Finalisti përcaktohet në Prishtinë


23 April, 2023 @20:41

Trepça ka shënuar fitore në ndeshjen e katërt të serisë gjysmëfinale të PlayOffit ndaj Prishtinës Minatori për të barazuar serinë në 2-2 dhe për të çuar serinë në ndeshjen vendimtare, ku edhe do të përcaktohet finalisti i PlayOffit të Superligës.

Mitrovicasit në palestrën Minatori përplotë, kanë shënuar fitore ndaj Prishtinës me rezultat 82-77 [20-22, 20-16, 24-25, 18-14] në një ndeshje të ngushtë, ku luftohej për secilin top për të arritur te fituesi i duelit.

Epërsinë e fundit Prishtina e humbi 4.15 minuta para fundit të ndeshjes, kur Drilon Hajrizi barazoi 70-70 nga gjuajtja e lirë ndërsa Musab Mala çoi në avantazh ekipin me 72-70. Më pas pikët e Ken Brown e Jamal Artis zgjeruan epërsinë për të hyrë në 2 minutat e fundit me 5 pikë dallim, 78-71.

Brown përndryshe ka qenë koshashënuesi më i mirë i Trepçës në fitore, pas kritikave të marra në ndeshjen e fundit nga trajneri i vetë, për të shënuar 21 pikë me 1 asistim e 2 kërcime, ndërsa me saktësi prej 50% për tri pikë, duke shutuar 4/8! Njëjtë u përgjigj edhe Andrew Gordon, që dha 12 pikë e bëri 3 kërcime në fitore. Jamal Artis shënoi 16 pikë, ndërsa shtoi edhe 3 asiste e 5 kërcime në fitore. Nga vendorët e ekipit, vetëm Drilon Hajrizi, sikurse në ndeshjen e tretë finale arriti pikë dyshifrore duke dhënë 11 pikë, 5 asistime e 9 kërcime.

Te Prishtina koshashënuesi më i mirë ka qenë Dardan Berisha që dha 23 pikë, ndërsa shutoi me 50% për tri pikë, duke bërë edhe 6 asistime e 4 kërcime. Me double-double ndeshjen e kreu Both Gach që dha 16 pikë e 12 kërcime, kurse 18 të tjera dha Derrick Wilson.

Dueli final i serisë, që do të përcaktojë kundërshtarin e Pejës në finale të PlayOffit të Superligës do të vendoset pas tri ditësh kur Prishtina pret Trepçën në ndeshjen e pestë të serisë në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve. Rezultati aktual i serisë është 2-2! Ndërsa ekipi që arrin tre fitore siguron finalen.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga