Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

VËLLAZNIMI - TREPÇA

Burim Zekiqi dhe Anthony Adger shokojnë Trepçën, Vëllaznimi fiton dramën

Pamje pas triumfit të madh të Vëllaznimit/ Foto: KBVellaznimi/ fb

Burim Zekiqi dhe Anthony Adger shokojnë Trepçën, Vëllaznimi fiton dramën


23 October, 2022 @19:02

Ish-basketbollisti i Trepçës Burim Zekiqi ka shënuar 4-treshe në tre minutat e fundit të ndeshjes, ndërsa Anthony Adger 2 treshe, të fundit vendimtare ashtu që Vëllaznimi të bëjë befasinë më të madhe të stinorit derisa mposhtën Trepçën krejt në fund të ndeshjes, 75-72 [15-21, 22-16, 15-17, 23-18]. Tre minuta e 55 sekonda para fundit të ndeshjes, Trepça udhëhiqte 54-66.

Trepça, në ndeshjen që shkonte barabartë pas 30-minutave, ia nisi çerekun e katërt me 0-9 për ta vazhduar me 2-12, ndërsa pas kësaj serie të mitrovicasve gjithçka mori fund për ta! As Ken Brown nuk u ndihmoi në fund, ndërsa Vëllaznimi festoi me krejt publikun në Shani Nushin e stërmbushur.

Burimi shënoi 19 pikë në ndeshje e 5 kërcime, ndërsa katër treshet e tij në minutat e fundit të ndeshjes thjesht kthyen lojën dhe i sollën fitoren tepër të madhe gjakovarëve.

TABELA AKTUALE

Anthony Adger gjithashtu u shfaq vendimtar. Edhe ai shënoi 19 pikë, duke dhënë edhe 4 asistime e 2 kërcime në lojë, ndërsa shutoi 3/8 për tri pikë, të fundit - për fitore, duke e lënë Trepçën në 2 sekondat e fundit të ndeshjes pa gjasa!

Damonte Dodd kreu ndeshjen me double-double prej 15 pikëve dhe 15 kërcimeve, ndërsa treshja e përmendur ka qenë e vetmja që ka shënuar pikë dyshifrore te ekipi gjakovar i drejtuar nga Josip Plantak, që shënoi fitoren e dytë radhazi në Superligë!

Ken Brown luajti me 14 pikë në rikthimin e tij te Trepça, ndërsa bëri edhe 4 asistime, derisa më efikasi ishte Drilon Hajrizi me 17 pikë të shënuara, 2 asistime e 4 kërcime. Andrew Gordon u ndalë në 9 pikë e 8 kërcime sonte, ndërsa Erjon Kastrati dha 14 pikë, për të shutuar 0/3 për tri pikë.

Për tu theksuar, te Vëllaznimi nuk ka qenë në fushë të lojës fare përforcimi i fundit i huaj i ekipit, Emmanuel Omogbo, ndërsa te Trepça për shkak të lëndimit mungon Mikaile Tmusic.

Me këtë, Vëllaznimi mbyll ciklin e parë të ndeshjeve në Superligë me bilanc 3-4, ndërsa Trepça me 4-3.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga