Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

SUHAREKË

Dajuan Graf - lojtar i ri i kampionit

Fotot: Google + Sokoly / official web

Dajuan Graf - lojtar i ri i kampionit


4 March, 2022 @14:03

Kampioni aktual i Kosovës dhe i Ligës Unike, KB Ylli, ka bërë edhe një lëvizje tjetër në treg, për të kompletuar skuadrën para pjesës përfundimtare të stinorit si në Superligë ashtu edhe në Ligë Unike, ku po synon të mbrojë titujt e fituar në vitin e kaluar.

Kështu, përmes një njoftimi të lëshuar në llogaritë e klubit në rrjete sociale, KB Ylli ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje, me gjasë deri në fund të stinorit, me basketbollistin amerikan, Dajuan Graf.

“Përforcimi i radhës në pozitën e organizatorit. Welcome Graf,” ka shkruar shkurt faqja e Yllit gjatë njoftimit për ardhjen e lojtarit të ri.


Por, kush është Dajuan Graf?

Playmakeri amerikan i lindur më 16 dhjetor 1992 është aktualisht 29-vjeçar, ndërsa i gjatë 185-centimetra.

Ai së fundi ka qenë pjesë e ekipit ukrainas, duke luajtur për Kharkivski Sokoly, në qytetin e të cilëve aktualisht po zhvillohet luftë mes Rusisë dhe Ukrainës.

Graf në 25 paraqitje me ekipin ukrainas ka pasur mesatarisht 32-minuta të zhvilluara për ndeshje.

Në këto minuta, mesatarisht, ai ka luajtur me 9.6 pikë për ndeshje, 5.8 asistime dhe 3.4 kërcime.

Gjithastu Graf ka mesatarisht 1.2 topa të rrëmbyer për ndeshje, derisa duket si një zgjedhje ideale për ekipin - përkundër se paraqitjet e tij te ekipi i ri mbetet të shihen.

“Graf është lojtari i vetëm që mund të krijojë dhe të gjejë partnerët e tij në lojë,” - kishte thënë gjatë muajit të shkuar trajneri i Kharkivit, Valeriy Plehanov.

Loja e fundit e tij daton më 22 janar, ku në 35-minuta të zhvilluara ndaj Krivbasit, ai ka shënuar 4 pikë, ka bërë 8 asistime dhe ka realizuar 6 kërcime bashkë me dy topa të rrëmbyer.

Para se të luante në Ukrainë për ekipin në fjalë, Dajuan Graf ka qenë pjesë e ekipit të Bundesligës 2 gjermane, Kirchheim Knights për dy sezone (2018/19 dhe 2019/20). E ekipi i parë evropian për të kur kishte arritur nga NCAA prej ekipit North Carolina Central Eagles, ka qenë Alkar i Kroacisë.

Ylli aktualisht është lider i Superligës së Kosovës me bilanc 16-4 pas 20 ndeshjeve të luajtura. Deri në fund të stinorit kanë mbetur edhe tetë ndeshje, ndërsa ekipet më të afërta për Yllin në krye të renditjes kanë bilanc 14-6 (Trepça) dhe 12-6 (Prizreni’16).

Në Ligën Unike, skuadra suharekase që drejtohet suksesshëm nga boshnjaku Adis Beciragic, ka bilanc edhe më të mirë, nëntë fitore dhe vetëm një humbje, tre xhiro para fundit të stinorit të rregullt aty.

 


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga