FINAL 8 | PEJA - PRISHTINA

Dardan Berisha 34 pikë, Peja fiton derbin ndaj Prishtinës
9 February, 2022 @22:11
Me treshe nga distanca shumë të mëdha, Dardan Berisha, edhe njëherë ka treguar veten për Pejën në momente vendimtare të ndeshjes për t’ia sjellë fitoren e madhe në ditën e hapjes së Final 8 dhe për t’ia siguruar gjysmëfinalen ekipit të tij.
Super Dardani në skenë
Kapiteni i pejanëve ka dhënë 34 pikë sonte, ndërsa Peja ka eliminuar Prishtinën nga garat e mëtutjeshme të Kupës, ku këta të fundit ishin fitues të fundit të garës.
Peja mposhti Prishtinën me rezultat 91-86 [23-17, 25-18, 18-20, 25-31]. Në fakt verdhezinjtë ishin afër të rrezikojnë gjithçka në çerek të fundit të ndeshjes, por treshet e Berishës i dhanë motiv shtesë dhe krijuan distancë për të vazhduar deri në fund, për fitore.
Peja mbylli në epërsi komode pjesën e parë të ndeshjes, me dallim 13 pikë. Mirëpo bardhekaltërit nuk u dorëzuan dhe me lojë të mirë arritën që të qëllojnë në sulme karshi Pejës për të afruar rezultatin në 2 pikë dallim. Në fund, vendosën disa momente moskoncetrimi, për të qetësuar pejanët, që shkuan tutje në Final 8. Në momentet më të mira, Peja ka bërë distancën në rezultat 18 pikë ndaj Prishtinës. Por kur në çerekun e fundit prishtinasit iu afruan në vetëm 2 pikë, gjithçka u bë më dramatike.
Performancat e lojtarëve
Dardan Berisha luajti me 34 pikë sonte te Peja, bëri edhe 4 asistime dhe regjistroi 6 kërcime. Ai shutoi 5/11 për tre pikë në këtë përballje, dy prej të cilave, gjigande!
Me 20 pikë luajti Edgar Garibay, që shtoi edhe 8 kërcime në llogari të tij, kurse Tyrone White shënoi 19 pikë me saktësi 50% për tri pikë, 3/6. White bëri edhe 9 kërcime e 4 asistime. Ndërsa asnjë lojtar tjetër i Pejës nuk arriti të shënojë pikë dyshifrore sonte.
Te Prishtina gjithashtu tre lojtarë shënuan pikë dyshifrore dhe atë me 20+ pikë. Dachon Burke që çoi afroi Prishtinën drejt shpresës për fitore luajti me 22 pikë në 25-minuta sa ishte në parket, ndërsa nga 20 shënuan Lejson Zeqiri e Ken Brown.
Dueli i parë gjysmëfinal, gati
Me këtë fitore, Peja arrin gjysmëfinalen e Kupës ku do të ndeshet me Trepçën të premten. Ndërsa Prishtina, që ka qenë fituese e fundit e Kupës dështon ta mbrojë trofeun - që këtë vjet do të shkojë në një qytet tjetër të Kosovës.