NGA KONFERENCA
Dardani: Ejani të gjithë, kemi nevojë për përkrahje
27 June, 2018 @16:51
Në konferencën e sotme për shtyp të reprezentacionit të Kosovës, ka folur kapiteni Dardan Berisha, që ka kërkuar përkrahjen e të gjithëve para dy ndeshjeve të fundit të Kosovës në këto kualifikime.
Të prekur thellë nga rasti tragjik i disa ditëve më parë, kanë treguar se kanë pasur edhe vështirësi në stërvitje.
“Jemi duke u përballur me një situatë shumë të vështirë emocionale, po mundohemi ta përballojmë, por nuk është aspak lehtë.
Ne vetëm sot kemi dal në fushë dhe e kemi zhvilluar stërvitjen e parë, s’ka qenë lehtë, sepse të gjithë ne kemi pasur emocione për faktin se dy javë kemi stërvitur së bashku me Gazin dhe lojtarët tjerë që janë të lënduar.
Në aspektin fizik dhe mental nuk jemi të përgatitur, por po bëjmë përpjekje që deri të enjten në mbrëmje, kur edhe do të luhet ndeshja të japim maksimumin për të hyrë në fushë dhe për të luajtur mirë për Gazin dhe për shtetin tonë.
Shfrytëzoj rastin t’i bëjë thirrje të gjithë adhuruesve të sportit të jenë në numër sa më të madh në palestër, sepse vërtetë kemin nevojë për mbështetjen e të gjithëve”.
Duelet e Kosovës ndaj Hungarisë dhe Polonisë, në kuadër të Grupit C kualifikues nga FIBA Europe - mund të ndiqen falas në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Kosova - Hungaria luhet nesër më 28 qershor dhe fillon në ora 20:30, ndërsa Kosova - Polonia luhet më 1 korrik me fillim në ora 20:30.
Kosova ende nuk ka shënuar asnjë fitore në Grupin C, pasi që ka kaluar fazën preliminare të kualifikimeve.