TREPÇA - BASHKIMI
TOPSPORTI / Arian Paçarizi
“Deja vu”, super Bashkimi merr fitoren nga dora e Trepçës
2 December, 2021 @21:02
Skuadra e Bashkimit arriti një fitore tepër të rëndësishme në Mitrovicë, duke e mposhtur Trepçën me rezultat 83-87.
Trepça e kishte epërsinë nga minuta e parë e deri kah mesi i çerekut të katërt, derisa Bashkimi së pari e ngushtoi disavantazhin prej 18 pikëve, e më pas në fund arriti fitore.
Kjo ishte një “Deja vu”, ku me rezultat të njëjtë ka përfunduar edhe ndeshja e parë në Prizren për Bashkimin (87-83).
Valon Bunjaku ishte i pakapshëm nga mbrojtja e Trepçës. Ai luajti me 30 pikë, 8 asistime, 4 kërcime e 2 topa të rrëmbyer, derisa u ndihmua edhe nga Anton Kazarnovski me 26 pikë dhe Julien Lewis me 19 pikë.
Bashkimi në këtë ndeshje luajti në shumicën e kohës pa qendrën Immanuel King, i cili u lëndua dhe luajti vetëm 9 minuta.
Te Trepça u veçuan Ty Cockfield me 25 pikë, Amin Hot me 16 pikë dhe Andrew Gordon me 15 pikë të tjera.
Bashkimi me këtë fitore ngritet në pozitën e tretë përkohësisht me 7 fitore e 5 humbje, derisa Trepça me 9 fitore e 3 humbje (2 prej tyre nga Bashkimi), gjendet në pozitën e dytë.