BARAZIM NË DERBIN E ANAMORAVËS
Derbi i Gjilanit pa fitues!
5 October, 2024 @23:27
Me dy gola të shënuar në pjesë të parë të ndeshjes është mbyllur derbi i Gjilanit sot, ku Drita ka qenë në cilësi të vendases në përballje ndaj Gjilanit.
Ka qenë edhe derbi i trajnerëve shkupjan të Superligës.
Zekirija Ramadani i Dritës siguroi epërsinë kur një goditje e fortë e mbrojtësit Rady Ovuoka, me reagim refleksiv të Arb Manajt la Kenan Haxhihamzën pa gjasa (35’).
Reagimi i ekipit që drejtohet nga bashkëqytetari i tij Ardian Nuhiji ka qenë i shpejtë. Një penallti, që nuk u dha nga referi Mervan Bejtullahu, por u vërtetua nga vetë ai pasi që e pa në VAR, ka bërë që transferi i fundit i gjilanasve dhe reprezentuesi i parë i Kosovës nga Superliga, Armend Thaqi të tund portën e Faton Malokut (45’+3) për të shkuar ekipet në pushim me barazim.
Në pjesë të dytë Drita kishte më shumë nga loja, por assesi nuk e gjeti golin. Rastin më të mirë për të shënuar e kishin Almir Ajzeraj (52’) goditjen e të cilit e nxorri nga goli i sigurt Armend Thaqi, ndërsa më pas Besnik Krasniqi provoi nga gjuajtja e lirë (73’) - mbi portë, kurse tentimi me kokë i Blerim Krasniqit kah fundi i ndeshjes (88’) mbeti në duart e Kenan Haxhihamzës, për përfundimtaren: Drita - Gjilani 1-1 [Arb Manaj 35’ - Armend Thaqi 45’+3].
Drita pas 6 ndeshjesh të luajtura në 8 xhiro ka marrë barazimin e parë të stinorit, ndërsa ka 13 pikë dhe është e pesta sot në Superligë. Gjilani në anën tjetër mbyllë xhiron si i shtati me 9 pikë, pasi mori barazimin e tretë sezonal.