MARIN DOKUZOVSKI

Dëshira shihet, por ka shumë punë për të bërë
3 March, 2022 @22:27
Trajneri i ri i Pejës, Marin Dokuzovski, ka folur pas ndeshjes së parë të tij në bankën e verdhezinjëve.
Maqedonasi ka qenë i qetë, derisa ka numëruar mungesat dhe ka treguar çka i nevojitet ekipit të tij për tu bërë edhe më të fortë.
“Natyrisht që nuk ka qenë lehtë. Jam qe dy-tre ditë këtu. Nuk kemi lojtar të gjatë. Kemi luajtur me pesë lojtarë të shkurtë. Ata kanë pasur lojtarë të gjatë, ne kemi bërë disa taktika si t’i ndalim ata. Te djemtë shihet dëshira, por shumë-shumë punë na pret këtu,” ka thënë fillimisht Dokuzovski.
Ai nuk është krejt i panjohur për basketbollin kosovar, pasi që vite më parë ka drejtuar Prishtinën.
Tash me Pejën, ai po kërkon edhe lojtarë të rinj në skuadër për ta kompletuar 12-shen e lojtarëve për të luftuar për trofe, por…
“Sa i përket lojtarëve të rinj në ekip, ne jemi duke i kërkuar, por tash është shumë vështirë të gjesh lojtar pa ekip dhe cilësor. Lojtarët e mirë kanë klub. Ne po shikojmë, por pa qendra s’mund as të luash si duhet. Ne nuk kemi as playmaker klasik për momentin. Do të jetë shumë vështirë të gjejmë çka po kërkojmë, por shpresojmë. Djemtë shihet se janë të uritur për të fituar,” ka thënë ai ndër të tjera.
Peja, me fitoren e sontme ka marrë përkohësisht lidershipin e Ligës Unike, ndërsa ekipi pas ndërrimeve në shtabin teknik dhe basketbollistëve të huaj aty, po kërkon ringjalljen në pjesën e fundit të stinorit për të fituar së paku njërin titull nga dy gara ku po luajnë: atë të kampionit të Kosovës dhe kampionit të Ligës Unike.