KALOJNË LEHTË ISTOGUN
Pas dy humbjeve, Prishtina iu kthye fitores
3 December, 2023 @23:21
Pritshëm, bindshëm ndaj Istogut Prishtina iu kthye fitores në Superligë sot pas dy humbjeve të regjistruara në dy ndeshjet e kaluara aty nga Ylli e Trepça. Albert Sylejmani arriti fitoren e parë në bankën bardhekaltër si trajner i Prishtinës këtë edicion, pasi që klubi ndau rrugët me lituanezin Zydrunas Urbonas.
Në secilin çerek Prishtina dominoi, për të shkuar te fitorja më e thellë e stinorit për ta, me 117-63, derisa koshashënues më të mirë në këtë fitore ishin Dardan Berisha me 21 pikë e 11 asistime dhe Fisnik Rugova me 21 pikë e 13 kërcime. Të dy lojtarët me përvojë, që tashmë po janë veteranë të basketbollit kosovar luajtën me double-double, ndërkaq eksperienca e tyre bëri gjithçka më të lehtë në lojë.
Sylejmani duke parë rezultatin u dha mundësi të gjithë basketbollistëve që kishte në dispozicion, ndërsa të Engjull Gorqaj luajti me 2 e Bardh Istrefi me 8 pikë në këtë duel.
Istogu në anën tjetër, i pafuqishëm për kah thellësia e lojtarëve cilësor dhe mungesë përvoje në Superligë nuk mundi të bëj më tepër. Te ekipi i drejtuar nga Fikret Shatri, trajneri i cili gjithashtu u dha mundësinë të gjithë lojtarëve në dispozicion koshashënues më të mirë ishin Tyrese Prince me 12 pikë dhe Kahlon Whitley e Arian Azemi me nga 11 të shënuara.
Me këtë fitore, Prishtina rikthen bilancin pozitiv në 6-5 dhe mbyll xhiron në pozitë të katërt, ndërsa Istogu shton një humbje më tepër duke qenë i fundit në renditje me 1-10 duke u bërë ekipi i parë me humbje dyshifrore në Superligë.