PEJA MPOSHTET PËRSËRI!
Cockfield shkëlqen, Prizreni mposht Pejën në “Karagaç” pas vazhdimeve
29 November, 2023 @19:01
Janë dashur mbi 40 minuta lojë, janë dashur vazhdimet për të përcaktuar fituesin e duelit të mbetur nga xhiroja e nëntë, ndërsa Prizreni ka shënuar fitoren e tretë të stinorit duke mposhtur Pejën dhe atë në “Karagaç”. Kjo është humbja e tretë me radhë e verdhezinjëve, që tashmë po ndiejnë mungesën e lojtarëve për tu mposhtur në fund, 103-108.
Asnjë ekip nuk arriti avantazh të madh në ndeshje, ndërsa lufta shkoi pikë për pikë, derisa dueli nuk gjeti fitues pas 40 minutash që përfunduan baraz, 92-92. E në vazhdime më i mirë u tregua ekipi i Tuncay Bostanci, që kishte në formë të jashtëzakonshme Ty Cockfieldin.
Ky i fundit luajti 44 minuta ndeshjen, duke pushuar një minutë të vetme. Shënoi 34 pikë, bëri 9 asistime dhe realizoi 13 kërcime në fitoren e ekipit të tij. Musab Mala dha 20 pikë, duke bërë edhe 3 asistime e 5 kërcime, kurse me nga 17 pikë të shënuara ndeshjen e përfunduan Desi Sills dhe Isaiah Kelly.
Te Peja Jay Jay Chandler luajti me 28 pikë, 7 asistime e 16 kërcime, ndërsa Justin Davis dhe Urald King gjithashtu bënë double-double, ku i pari dha 27 pikë e bëri 10 kërcime, ndërsa i dyti kreu lojën me 22 pikë e 15 kërcime. Pas largimit të Jacob Calloway, Malcolm Armstead dhe mospasjes së drejtës së lojës për Larry Thomas, Pejës sonte iu kthye Lis Shoshi - por as ai nuk arriti të bëj më shumë karshi ekipit mysafir në disponim.
Peja, që deri para tre xhirosh nuk kishte pësuar asnjë humbje në Superligë. Në tre xhirot e fundit pësoi tre herë, ndërkaq Prizreni ka arritur fitoren e tretë dhe me këtë fitore pritet të fitojë energji për ndeshjet tjera. Pas 10 xhirosh, Peja ka bilanc 7-3, ndërsa Prizreni 3-7. Prizreni në xhiron që vjen luan derbin lokal ndaj Bashkimit, ndërsa Peja pret Yllin. Gjithashtu, kjo është edhe hera e parë që Peja mposhtet në “Karagaç” këtë stinor në Superligë.