E GJASHTA ME RADHË!
Në fund të pjesëve gola për përmbysje, Ballkani mposht Fushë Kosovën
3 December, 2023 @20:24
Në një ndeshje plotësisht të dominuar nga kampioni, Ballkani ka arritur të vazhdojë serinë e fitoreve në Superligë, duke e mposhtur sot edhe Fushë Kosovën me rezultat 2-1 [Walid Hamidi 45’+1, Qëndrim Zyba 87’ - Osman Mëziu 4’].
Golat e Ballkanit kanë ardhur në fund të pjesëlojëve përkatëse, ndërsa Fushë Kosova kishte marrë epërsinë herët në ndeshje me një super-gol të ish-sulmuesit të Drenicës, Osman Mëziu.
Sidoqoftë, epërsia befasuese e mysafirëve nuk demoralizoi vendasit që dalëngadalë morën plotësisht kontrollin e lojës dhe shkuan te fitorja me golat e shënuar në fund të pjesëve, ndërsa kishin raste të shumta përgjatë ndeshjes, veçanërisht në pjesë të dytë për të shënuar, ku disa prej tyre nuk qëlluan kornizën e portës, e disa u ndalën nga portieri i Fushë Kosovës, Armend Ruxhi.
Walid Hamidi u gjend pranë portës kundërshtare, kur në kohën shtesë të pjesës së parë një intervenim jo i sigurt nga portieri i mysafirëve, pa topin para tij - që nuk e pati të vështirë ta shndërronte në gol (45’+1).
Në pjesë të dytë disa raste të mira të Ballkanit për të shënuar nuk gjetën portën. Hamidi (57’), Armend Thaqi (59’), Albin Berisha (69’) me raste konkrete, ndërsa një krosim i mirë i Armend Thaqit në minutën e 87. të duelit gjeti Qëndrim Zybën në këndin e djathtë të Ruxhit, që shutoi furishëm për të dhënë fitore për ekipin e Ilir Dajës.
Ballkani mori fitoren e gjashtë me radhë në Superligë, ndërsa të dymbëdhjetën këtë stinor, për të mbajtur distancën 10 pikëshe ndaj ndjekësit kryesor, Dritës. Xhiron e XVI Ballkani e mbyll me 38 pikë nga 14 ndeshje të luajtura (dy i ka të shtyera, ndaj Dritës dhe Gjilanit), kurse Fushë Kosova mbetet në 10 pikë nga 16 ndeshje të luajtura, në vend të parafundit të Superligës.
Në xhiron e radhës, Ballkani udhëton te Llapi, ndërsa Fushë Kosova shkon afër - në Prishtinë.