DRAMA, ÇON PRISHTINËN NË FINALE
Detajet vendosin, Prishtina arrin finalen
17 February, 2023 @22:18
Duel mjaft dramatik, i dy skuadrave ndër më të fuqishme në basketbollin vendor, ndërsa Prishtina ka arritur finalen e parë të Kupës së Kosovës që prej vitit 2021.
Bardhekaltërit e Ahmet Kandemirit kanë mposhtur kampionët e Adis Beciragicit me 4 pikë dallim, 80-76, derisa fundi i ndeshjes ishte me faulime taktike ku secila gjuajtje e lirë e cilitdo lojtar ishte me vlerë shtesë për të arritur te fitorja, të cilën Prishtina e kapi në fund, për të shkruar emrin në finale, ku mungoi vitin e kaluar.
Prishtina nisi shumë mirë ndeshjen, duke qenë një nivel më lartë në pjesë të parë, por në pjesë të dytë Ylli është treguar si kampion i vërtetë, duke shkrirë epërsinë rreth 20 pikëshe të bardhekaltërve në disa momente, për të arritur edhe në epërsi!
Dustin Thomas, Dardan Berisha dhe Derrick Wilson kanë qenë kryesorët te Prishtina sa i përket pikëve të shënuara sonte, derisa kanë qenë të vetmit që kanë shënuar pikë dyshifrore në ekip.
Thomas kreu lojën me 22, kapiteni Berisha me 20 pikë (4/8 për tri pikë), 3 asistime e 6 kërcime, ndërsa Wilson me 16 të shënuara, 3 asistime e 4 kërcime.
Kapiteni i Yllit në anën tjetër ka treguar aftësitë e mëdha të tij sonte, ndërsa pos lojës në mbrojtje ka shënuar edhe 5/9 për tri pikë për të mbyllë ndeshjen me 19 pikë të shënuara, 2 asistime e 8 kërcime.
Wes Washpun dha 16 pikë, ndërsa Henrik Sirko luajti me 13 të shënuara.
Fitorja, bën që Prishtina të takohet në finale me Trepcën, ndërsa Ylli eliminohet nga gara.