OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Ditari Olimpik Nr.16 – Pekini
Shkruan: LUAN MORINA
25 February, 2018 @10:37
Për 17 ditë garash me 102 finale në 15 sporte, këtu tek Borozani jemi munduar të sjellim një përvojë të për kosovarët, një përvojë ndryshe nga mediat tona.
Përfshirë edhe Abetaren Olimpike që përfshinte vetëm një njoftim themelor me sportet që ishin pjesë e kësaj Olimpiade, kjo aventurë dy javore ka qenë më shumë si një tentim bazik për të njoftuar audiencën e interesuar me njërën nga ngjarjet më të bukura në botën e sportit.
Dhe për këtë janë përkujdesur gati 3000 atletë, përfshirë edhe Albinin tonë, të cilët kanë ofruar momente goxha atraktive, dhe disa edhe të paharrueshme gjatë kësaj periudhe 17 ditore.
Padyshim që për neve ngjarja më e rëndësishme ishte prania e Kosovës, dhe Albin Tahirit me ekipin sportiv në PyeongChang. Albini ka arritur rezultatin më pozitiv të mundshëm për vendin tonë, bile edhe ka tejkaluar pritjet e mija si një pesimist kur krahasoj punën që bëhet në sport, për sportin, duke nisur nga pedagogët në shkollat fillore deri tek zyrtarët zhvatës të taksave tona që në Kore shkojnë për fotografi Instagrami, jo për avancimin e sportit në vendin tonë.
Norvegjia dhe Gjermania më së miri shfrytëzuan mungesën e Rusisë, ose më mirë të themi mungesën e rusëve të dopinguar. Me nga 14 medalje të arta, të dyja vendet barazuan rekordin e Kanadasë nga Vancouveri. Zhgënjim ishin, tashmë sa vite vazhdojnë të jenë, Finlanda. Vetëm një e artë në ditën e parafundit, duke mbetur mbrapa edhe vendeve më të vogla si Sllovakia, është një rezultat që duhet të kërkoj reflektim.
(mos)Suksesin e Finlandës në këtë Olimpiadë, si vend ne nuk do të mund ta arrijmë kurrë! Kjo do të ishte një qasje negative, por kur shohim punën që bëhet në zhvillimin e olimpistëve atëherë kurrë duket si ndajfolje shumë e shkurtër në aspektin kohor.
Megjithatë, medalja olimpike dimërore nuk është aq mision i pamundur. Snoubordi do të jetë sporti i parë në të cilin mund të fitojmë medalje.
Këtë përfundim e bazoj në moshën relativisht të re që kanë garuesit, dhe guximin që kanë të rinjtë tanë. Si sport atraktiv, me pak përkushtim serioz ndaj talenteve potencial, mund të arrijmë suksese. Ndoshta jo në Pekin më 2022, por pse jo më 2026. Apo edhe në kampionate tjera duke nisur nga ato rajonale.
Para se të mbërrijmë në Pekin më 2022, kemi Tokion më 2020. Një medalje nga Rio, nxitur nga sukseset e fundit të xhudistëve tanë na jep shpresë për dyfishimin e medaljeve ndoshta. Pavarësisht suksesit eventual pas 27 muajve, suksesi i Kukës dhe ekipit të tij dëshmon që me punë dhe përkushtim, gjithçka është e mundshme.