KAMPIONATI U16 EUROPIAN
Djellza Kryeziu sjell fitoren për Kosovën
19 July, 2016 @17:47
Ndeshja e dytë e përfaqësueses U16 të Kosovës në konkurrencën e femrave, është shndërruar në dramë të vërtetë në fund të ndeshjes.
Vashave tona të reja iu deshën të luajnë kohë shtesë prej 5 minutave, për të arritur deri tek fitorja, megjithëse edhe 3 minuta e 32 sekonda pa përfunduar takimi, me trepikëshin e Djellza Kryeziut, krijuan epërsi 13 pikëshe, 49-36.
Por më pas pasoi seria fantastike prej 13-0 e Maltës, duke u barazuar kështu rezultati në 49-49 dhe fitusi u desh të përcaktohet pas vazhdimit 5 minutësh.
Vazhdimi filloi me seri 6-0 të Maltës, por më pas vashat tona u këndellën dhe arritën deri tek fitorja, ndërsa ajo u sigurua vetëm 13 sekonda pa përfunduar ndeshja, falë trepikëshit të Djellza Kryeziut.
Pikërisht Djellza ishte edhe koshashënuesja më e mirë e ndeshjes me 22 pikë, ndërsa kontribut të rëndësishëm dha edhe Besjana Martinaj që shtoi 20 pikë të tjera.
Me këtë fitore Kosova e siguroi gjysmëfinalen duke e përfunduar grupin si lidere dhe pa asnjë humbje.