RAHOVECI - PRIZRENI
Dramë në “Shani Nushi”, Rahoveci mposht Prizrenin
21 October, 2018 @17:50
Dueli ndërmjet Rahovecit dhe Prizrenit dha një përballje shumë të nxehtë dhe interesante mes dy skuadrave të pjesës së epërme të Superligës.
Fitores në këtë ndeshje iu gëzua skuadra e Rahovecit, por epilogu i ndeshjes mund të ishte krejtësisht ndryshe po të ishte i saktë në tentimin për tri pikë në sekondat e fundit basketbollisti amerikan i Prizrenit, Brandon Scott.
Rahoveci në fillim të ndeshjes krijoi epërsinë më të lartë prej 9 pikëve, 16-7, por me dy tripikëshat e Edmond Kryeziut dhe pikët e Elliott Cole dhe Somel Shaqirit, kjo epërsi e vreshtarëve u shkri shpejt dhe çereku i parë përfundoi me rezultat 19-21 në të mirë të Prizrenit.
Në çerekun e dytë Rahoveci pati një dominim të lehtë dhe në pushim shkoi me 5 pikë epërsi, 48-43, falë shënimit në sekondat e fundit të amerikanit të Rahovecit, Deshon Minnis.
Prizreni e riktheu epërsinë në të mirë të tij para fillimit të çerekut të fundit dhe ate e mbajti deri në 5 minutëshin e fundit, kur Arian Qallaku shënoi për rezultatin 88-87 në të mirë të vendasve. E nga ai moment rezultati ndryshonte vazhdimisht në të mirë të njërës apo tjetrës skuadër, deri në momentin më kritik të ndeshjes, kur edhe 1 minutë e gjysmë para fundit Atik Koshi e vjedh topin dhe në kundërsulm Deshon Minnis shënon për rezultatin 100-96.
Në fund, rastin ideal për t’u shndërruar në hero e humbi Brandon Scott në tentimin e tij për tri pikë dhe Rahoveci fitoi me rezultat 101-99.
Më i miri në ndeshje pa dyshim ishte Elliott Cole i Prizrenit me 43 pikë, derisa te Rahoveci u dallua Arian Qallaku me 25 pikë.
Me këtë fitore, Rahoveci vazhdon të rrugëtojë pa humbje duke e regjistruar fitoren e pestë me radhë, derisa për Prizrenin kjo ishte humbja e dytë për këtë edicion pas asaj kundër Bashkimit.