Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FINALJA E KUPËS

E 15-ta në histori, Prishtina fituese e Kupës!

E 15-ta në histori, Prishtina fituese e Kupës!


7 February, 2021 @19:19

Për herë të 15 në histori të klubit, KB Prishtina është fituese e Kupës së Kosovës në basketboll.

Ndonëse këtë vit nuk u cilësua favorite si në vitet e kaluara, Prishtina megjithatë arriti që ta fitojë këtë trofe, duke e mposhtur në finale Yllin me rezultatin final 76-82.

Prishtina e filloi takimin furishëm, duke e mbyllur çerekun e parë 16-27.

Më pas, Ylli u tregua më i mirë në 10-minutëshin e dytë, të cilin e mbylli 19-14 në favor të vetin, për të shkuar kështu skuadrat në pushim me rezultat 35-41 në të mirë të Prishtinës.

SKEMA E KUPËS

Ylli ishte më i mirë edhe në çerekun e tretë, në të ciilin shënoi 4 pikë më shumë se Prishtina, 27-23, duke bërë që skuadrat në çerekun vendimtar të hyjnë me rezultat 62-64 në favor të kryeqytetasve.

E në 10-minutëshin e fundit, përvoja luajti rolin e saj dhe Prishtina nuk lejoi përmbysje, duke e mbyllur takimin me fitore 76-82.

Nigel Johnson dhe Tevin Mack ishin më të mirët te Prishtina sonte. Johnson luajti me 21 pikë, 13 asistime, 7 kërcime e 1 top të vjedhur, kurse Mack me 24 pikë, 7 kërcime e 1 asistim. Në këtë takim prishtinasve iu mungoi Daniel Lekndreaj për shkak të lëndimit, ndërkohë që Azemi e kaloi lëndimin e ndeshjes së kaluar dhe luajti sonte.

Sa i përket Yllit, që tashmë duhet të presë edhe më tutje për ta fituar për herë të parë Kupën e Kosovës, më i dalluari sonte te suharekasit ishte Erjon Kastrati me 22 pikë, 8 kërcime e 4 asistime.

Nëse flasim për trajnerët, pas titullit që e fitoi me Bashkimin, trajneri Radovic, tashmë në krye të Prishtinës, sot arriti që për herë të parë në karrierën e tij ta fitojë Kupën e Kosovës, kurse Gezer i Yllit do të tentojë që trofeun e parë personal në Kosovë ta fitojë me Yllin në Superligë.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga