SHKODËR

Edhe një skuadër e Ligës Unike, ndahet me trajnerin
15 December, 2021 @15:20
Pas skuadrës së Rahovecit që reagoi me ndërrim të trajnerit për shkak të rezultateve jo të mira në fillim të Ligës Unike, tashmë të njëjtën e ka bërë edhe Vllaznia e Shkodrës.
Ekipi shkodran ka bërë të ditur sot zyrtarisht se ka ndarë rrugët me trajnerin malazez të skuadrës, Nikola Milatovic.
“KB Vllaznia pasi ka analizuar me përgjegjësi lojërat e dobëta dhe rezultatet negative të arritura së fundi, njofton se ka ndërprerë bashkëpunimin me trajnerin malazias Nikola Milatovic. Ekipi në ndërkohë do të drejtohet nga zëvendës trajneri Ervin Bërdica. KB Vllaznia i falenderon trajnerit Milatovic për kontributin e dhënë,” ka shkruar njoftimi i kuqekaltërve të Shkodrës.
Vllaznia pas gjashtë xhirove të zhvilluara në Ligën Unike ka arritur vetëm një fitore dhe është e fundit në renditjen tabelare aty. Shkodranët kanë bilans 1-5, ndërsa fitoren e vetme e kishin arritur ndaj Tiranës në këtë ligë.
Sa i përket elitës shqiptare të basketbollit, Vllaznia aty është e treta në renditje me bilans 4-2 pas gjashtë xhirosh të luajtura.