LARGIMI
Edhe Raqa tërhiqet nga referimi
21 March, 2014 @15:42
Ish basketbollisti i Trepçës dhe tash e sa vjet gjyqtar i basketbollit në Superligë të Kosovës, Edmond Raqa, është tërhequr nga referimi.
Tërheqja e tij vjen në vazhdën e largimeve që po bëjnë referët e ndryshëm për shkak të pakënaqësisë ndaj Federatës së Basketbollit të Kosovës, siç thonë ata.
Raqa ka thënë se është i pakënaqur me tretmanin që po i bën FBK-ja dhe për këtë largohet derisa të ndërrohet qasja e drejtuesve të basketbollit ndaj referëve.
“Me keqardhje dhe zhgënjim, tërhiqem nga referimi në shenjë pakënaqësie ndaj tretmanit që po bën udhëheqësia e FBK-së ndaj meje,” ka shkruar Raqa në llogarinë e tij personale në Facebook, duke njoftuar për vendimin.
Raqa është deleguar në një ndeshje nga 5 xhirot e para të pjesës pranverore të Superligës.
Ai më tej ka shtuar se derisa të ndërrojë qasja e FBK-së ndaj referëve nuk do të kthehet në referim, derisa ka falenderuar mbështetësit e tij.
Më parë edhe Alban Vula, Arbnor Rifati, por edhe tërë gjyqtarët nga Prizreni janë tërhequr nga referimi i garave të organizuara nga FBK.