NË 3 STINORË, 3 EKIPE
Ekip i ri për Meriton Ismailin
21 July, 2024 @18:32
Basketbollisti prishtinas, që nisi karrierën te Prishtina dhe në dy stinorët e fundit është duke ndërruar ekipet, ka ndërruar përsëri ekipin. Lojtari që luan në pozitat 2-3, Meriton Ismaili pas aventurës në KB Prizreni dhe në KB Peja, tash është zyrtarizuar te KB Bashkimi i Prizrenit, ku ka nënshkruar për stinorin 2024/25.
Ekipi prizrenas ka bërë të ditur se ka arritur marrëveshje me reprezentuesin e Kosovës të lindur në vitin 2000 dhe tashmë 24 vjeçari Ismaili do të mbrojë ngjyrat portokallezi në stinorin që vjen.
“Ju njoftojmë se kemi arritur marrëveshje me reprezentuesin e Kosovës, Meriton Ismaili,” - ka shkruar ndër të tjera KB Bashkimi në njoftim.
Përndryshe, Ismaili te Peja në stinorin e kaluar ka pasur mesatarisht 19.2 minuta për ndeshje në Superligë, duke dhënë 5.8 pikë, 0.8 asistime dhe 2.1 kërcime mesatarisht. Ismaili me Pejën përgjatë stinorit të kaluar ka luajtur dhe në Ligën Ballkanike dhe FIBA Europe Cup.