MEDIA
FBK dënon, Peja s’vazhdon garat
31 March, 2014 @10:23
Skuadra e Pejës është dënuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës për shkak të tërheqjes së ekipit nga ndeshja Final Four e Kupës së Kosovës ndaj Sigal Prishtinës.
Në Informatorin e radhës së FBK-së shkruan se për shkak të braktisjes së fushës së lojë pa pëfunduar ndeshja klubi verdhezi dënohet me 1 mijë euro, derisa edhe disa dënime për shkak të gabimeve teknike për kryetarin e klubit kanë çuar dënimin në 1.300€.
Në anën tjetër drejtuesit e klubit pejan, në fakt kryetari i tyre, Art Gashi, në deklaratat e dhëna për media ka thënë se Peja do të tërhiqet nga garat e Superligës së Kosovës në basketboll, pasi që gjëra të tilla për Pejën, po ndodhin për herë të dytë, kësaj radhe janë shkelur rregulloret e garave, duke cekur se kështu nuk mund të vazhdohet më.
Peja tërhoqi ekipin nga ndeshja pasi që gjyqtarët vendosën zbrazjen e sallës nga tifozët. Peja insistonte se tifozët e saj nuk kishin faj, por edhe po të kishin, është dashur të ipet së pari vërejtja - sipas Rregullores, thonë pejanët.
“Ne do të tërhiqemi nga garat, pasi është zhvilluar ndeshja finale. Do të njoftoj edhe ligën ballkanike për rastin e së shtunës. Ne mund të tërhiqemi si kryesi dhe të vazhdojnë të tjerët të merren me këtë Federatë. Lojtarët mbeten, ata kanë dhënë maksimumin, por dikush tjetër është duke iu penguar,” ka thënë Gashi në prononcimin e tij për Sport Plus.