THE FINAL
Penza, krenaria e Pejës
30 March, 2014 @18:32
Penza e udhëhequr nga Hekuran Husaj ka arritur që të mbrojë titullin e Kupës së Kosovës në basketboll duke e mposhtur në finale Sigal Prishtinën 71-63.
Valbona Bytyqi ka qenë më meritorja për fitoren e pejaneve duke shënuar 29 pikë në finale. Ajo u ndihmua edhe nga Nora Gacaferri me 22 pikë.
Çereku i parë ia nisi me dominimin e vashave në të verdha, të Penzës, të cilat krijuan një epërsi 11 pikëshe në fund 18-7.
Por përgjigjja erdhi shpejtë nga skuadra e udhëhequr nga Fidan Shatri - duke arritur që të barazojnë në fund të pjesës së parë pas një serie fenomenale të tresheve të Irma Konjushës, 29-29.
Pas pushimit dhjetë minutësh, basketbollistja më e mirë kosovare, Valbona Bytyqi morri përsipër udhëheqjen e skuadrës për të krijuar përsëri avantazhin e Penzës, duke përfunduar çerekun e tretë 53-42.
Kështu, Penza arriti që edhe në çerekun e fundit të mbajë epërsinë dhe të shënojë fitore për të mposhtur prishtinaset.